Policia e Pogradecit ka arritur të arrestojë 33-vjeçarin B. B., i cili ishte shpallur prej javësh në kërkim. I riu akuzohet se nuk ka kallëzuar tentativën e vrasjes së 22-vjeçarit Johan Muçllari, nga Firdeus Berberi dhe Griseld Maxhari.

Më herët janë arrestuar për mos kallëzim krimi, Fatjon Bono, Kristian Kreston, Hekuran Gjonan, Ledion Shkullakun dhe Rudi Shaho. Në pamjet e publikuara nga policia, shihet se si shoqërohet 33-vjeçari në Komisariat.

Kujtojmë se në ngjarjen e ndodhur më 25 prill të këtij viti, mbeti i plagosur Johan Muçollari, por për fat të mirë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.

Përkrahu autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 25.04.2022, në Pogradec, dhe nuk kallëzoi krimin në organet e Policisë, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Gjurmimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit B. B., 33 vjeç banues në Pogradec.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Shtetasi B. B., së bashku me 5 persona të tjerë (të arrestuar në flagrancë), nuk kanë kallëzuar në Polici, për ngjarjen e ndodhur më datë 25.04.2022, në qytetin e Pogradecit, dhe kanë përkrahur autorët e krimit, shtetasit F. B., 21 vjeç dhe G. M., 20 vjeç, banues në Pogradec, të cilët gjatë një konflikti, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin J. M., 22 vjeç, banues në Pogradec.

Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga Komisariati i Policisë Pogradec.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb