TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi sot deklaratën e kreut të PD-së Lulzim Basha se nuk ka humbur asnjë garë, pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit. Berisha tha se është absurde të sillesh si alien në politikë.

Ai theksoi se ka pasur dhunim dhe ndërhyrje brutale mbi votën e lirë të qytetarëve, por nuk mohohet se ish-kreu i PD-së kishte objektiv vetëm karrigen, biznesin dhe pazaret e tij me Edi Ramën.

“Pak është me thënë por të sillesh si alien në politikë, apo të quash humbjen fitore dhe fitoren ta quash disfatë është absurde. Nuk mohohet se ka pasur absolutisht dhunim, ndërhyrje brutale mbi votën e lirë të qytetarëve dhe këto janë të faktuara në të gjitha zgjedhjet, përfshi këto të 6 marsit, me dokumente, por nuk mohohet se ish-kreu i PD-së kishte vetëm një objektiv siç po del çdo ditë e më shumë, karrigen, biznesin dhe pazaret e tij me Edi Ramën. Kjo kohë ka marrë fund! Ne i qëndrojmë opinionit, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, por ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë”, tha Berisha.

Sa i përket denoncimeve për parregullsi në zgjedhje, ai deklaroi se kishte ndërhyrje që janë denoncuar dhe do denoncohen.
“Zgjedhjet e 6 marsit ishin një stad i revolucionit dhe ato faktuan se e vërteta më e madhe është revolucioni paqësor që po zhvillohet. Në mënyrë të padiskutueshme kishte ndërhyrje të cilat janë denoncuar dhe do denoncohen pranë organeve respektive. Pjesëmarrja intensive e narkoshtetit në zgjedhje, përdorimi i pushtetit për blerje votash, favore, kam denoncuar në Peshkopi dy biznesmenë që ndanin para për kandidatin e bravës, njëri në zonën e Reçit, tjetri në zonën e Maqellarës, pra janë denoncuar shpërndarje parash në zona të tjera. Çdo dokument që kemi do ta depozitojmë. Analiza që do bëhet do shpërbejë dhe për këtë”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb