Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë një mesazh të qartë e të prerë se nuk do të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve lokale në 6 bashkitë e vendit, por do të vijojë betejën.

Basha u shpreh se beteja do të vijojë në dy rrugë kryesore, për reformën zgjedhore dhe për reformimin e Partisë Demokratike. Me tone të ashpra, kryedemokrati Basha theksoi se “Kushdo që më kërkon të braktisë betejën time për reformën zgjedhore dhe reformimin e PD, do të zhgënjehet”.

“30%-shi flet qartë, 70% i kanë braktisur. 30% mund të jenë administrata. Koha për konkluzione nuk është sot. Duhet bërë analiza në fillim. Faktet janë kokëforta. 30% është një pjesëmarrje që tregon djerrjen totale të besimit. Dy janë rrugët, reforma zgjedhore dhe vazhdimi i reformës në PD, pa e kthyer kokën pas, në luftën kundër korrupsionit, që është shkaktari kryesor edhe për këto rezultate të trishtueshme.

Reformimi në PD ka filluar dhe do të përshpejtohet në çdo nivel. Jam i gatshëm të jap gjithçka për të vazhduar për të udhëhequr reformimin e PD dhe për të mos plotësuar asnjë skenar të regjimit, që PD të mbetet peng i dëshirave dhe interesave personale.

Propagandës dua t’i them se unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time, por jam përballur me masakra zgjedhore. Sot nuk po flasim për mua. Trekëndëshi i Bermudës e ka gjithçka për interesa personale, por lufta ime nuk është për interesa personale. Kushdo që më kërkon të braktis betejën time për reformën zgjedhore dhe reformimin e PD, do të zhgënjehet”, deklaroi kryedemokrati Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb