Erjon Bogdani nuk është vetëm golashënuesi më i mirë i Kombëtares kuqezi, por mbetet një ambasador i shkëlqyer i Shqipërisë në arenën europiane si një person që ka dhënë kontribut të çmuar për imazhin e vendit tonë. Si futbollist ka luajtur në vitet më të arta të Serisë A dhe gjithnjë duke qenë protagonist. Si trajner i Kombëtares U-19, ka meritën që këmbënguli për Marash Kumbullën, duke i bërë italianët të pendohen që nuk e ftuan ata të parët. Sot ai jeton mes Tiranës dhe Salernos dhe nuk është çudi që në të ardhmen të jetë trajner në ndonjë klub italian. “Jam gjithnjë pranë skuadrës së Salernitanës. Kam miq të mirë këtu që nga koha kur kam luajtur futboll me këtë skuadër. Natyrisht që kam dëshirë që në të ardhmen të mund të angazhohem diku, por vetëm nëse ka një projekt serioz”, thotë për “Panorama Sport” ish-bomberi kuqezi. Më tej, ai flet gjatë për finalen Roma-Fejnord që do të luhet më 25 maj në Tiranë dhe thotë se shqiptarët duhet ta shijojnë, por duhet edhe të jenë bashkëpunues që gjithçka të shkojë mirë, sepse është në lojë imazhi i vendit tonë.

Erjon, a e kishit imagjinuar në vitin 2000, kur zbarkuat te Rexhina, se një ditë do të luhej një finale europiane Roma-Fejnord në Tiranë?

Kurrë. As në ëndrrat e mia më të bukura nuk e kisha imagjinuar këtë… (qesh). Është vërtet një ngjarje speciale që meriton vëmendje dhe bashkëpunim nga të gjithë faktorët, por edhe nga shqiptarët e thjeshtë. Së pari uroj ta shijojnë dhe së dyti shpresoj që gjërat të shkojnë sa më mirë sepse është në lojë imazhi i Shqipërisë. Është një rast i mirë për të treguar se sa europiane është Shqipëria, se sa mikpritëse dhe se jemi edhe të zotë që të organizojmë një eveniment të tillë.

Kur keni qenë futbollist, a i keni shënuar Romës ndonjëherë?

Po, i kam shënuar në vitin që morën titullin. I drejtonte Fabio Kapelo asokohe dhe unë luaja te Rexhina. Na mundën 2-1 me gola të Totit dhe të Montelës, por mbaj mend që e kam shijuar shumë atë gol sepse isha ende në hapat e parë.

Ju keni qenë pranë Romës dikur, apo jo?

Po, ka qenë vera e vitit 2007… E kam ende peng sepse po të kisha pritur vetëm dy minuta, do të isha bërë lojtar i Romës.

Bogdani, ju jeni golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares shqiptare. A keni marrë ndonjë ftesë nga FSHF për ta parë këtë ndeshje në tribunë?

Jo, nuk kam marrë. E kuptoj që ky është një eveniment që e organizon UEFA, por të them të drejtën nuk kam pasur asnjë ftesë nga FSHF edhe në ndeshje të Kombëtares.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb