Pas djegies së pallatit në Pogradec, bilanci është 12 apartamente të shkrumbuara dhe 5 familje të mbetura në qiell të hapur. News24 është rikthyer në apartamentet e shkrumbuara ditën e djeshme ku përvec mureve të objektit nuk kishte mbetur asgjë tjetër.

Në katet e fundit të pallatit sheh banorë që qajnë dhe shpresojnë të gjejnë një kujtim të mbetur në këto mure. Një zonjë kërkon në gërmadha fotografitë e fëmijëve të saj, tashmë nuk ka mbetur asgjë, mes lotësh e vajit gruaja shpreson të gjejë një kujtim.

“Gjithë jeta ime më iku, nuk kam një kujtim nga fëmijët, televizorin nuk e gëzova dot, si nuk më shpëtoi fotografia e djalit, nuk më shpëtoi një fotografi, u shua mundi im. Nuk i kam gëzuar këto shtëpi akoma. O Zot i madh! Nuk kam gëzuar asgjë të re. Gjithë jeta imë më iku. Po ç’ishte kjo? I kam mbajtur me grep e me shtiza. Shisja çentro që mbaja fëmijët. Ah ç’më gjeti mua”, thotë Shemshie Ilo në vaj.

Këtë shtëpi ajo thotë se e ka ndërtuar me sakrifica dhe mund gjatë gjithë jetës, ndërsa ka punuar një periudhë 1-vjeçare edhe në SHBA. Madje lajmin e hidhur e ka marrë gjatë kthimit nga Amerika në Rinas nga djali i saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb