Një ditë më parë, profili i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në Instagram, me emër kryesor në gjuhën angleze (pa një website zyrtar), publikoi një video në ‘storie’ dhe më pas thuhej se presidenti i klubit shumësportësh i Kamzës (ku përfshihet edhe peshëngritja), Dashamir Çajka, ka sulmuar me thikë trajnerin e ekipit kombëtar, Bashkim Nikolla.

Në një reagim për “BalkanWeb”, Çajka ka deklaruar se video i përket muajit nëntor të vitit të kaluar dhe ai kurrsesi nuk ka sulmuar me thikë, por ka qenë një konfrontim fizik, madje z.Nikolla ka rënë në tokë si pasojë e përplasjes pa dashje me sportistin e vet.

“Ka pasur një zëvendësim të emrave disa orë para nisjes së delegacionit shqiptar për në Bosnjë. Asnjë njoftim, zyrtar jo e jo, por as privat dhe kemi shkuar për të pyetur Bashkim Nikollën pse nuk janë peshëngritësit e mi.

Është e vërtetë që ka pasur konfrontim fizik, por kjo ngjarje është cështje e mbyllur, pasi të gjitha palët kemi shkuar në polici dhe më pas është sqaruar gjithcka. Po të kisha sulmuar me thikë, do isha në burg, do kishte një raport mjeko-ligjor.

Videoja e hedhur një ditë më parë është bërë me qëllim për të dëmtuar imazhin tim, pasi vetëm një ditë më parë përurova një nga palestrat më moderne të peshëngritjes me emrin ‘Aleksandër Kondo’. Natyrisht, ftesë kishte edhe kreu i federatës Elez Gjoza, por ky i fundit, nuk dënjoi të ishte i pranishëm.

Sic është bërë publike nga shumë media, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, zv. Ministri i Sportit, kreu i bashkisë dhe shumë figura të tjera të sportit e familjarë të legjendës Kondo. Ndërsa Gjoza, çuditërisht, jo.

E bëj këtë sqarim, pasi një gjë e servirur në media kaq keq dhe manipuluese jo vetëm që ka dëmtuar imazhin tim, por edhe të ardhmen e një brezi të ri peshëngritësish që po rriten dita-ditës dhe me siguri në të ardhmen do sjellin medalje ndërkombëtare.

Për sqarim të opinionit, Bashkim Nikolla është mik i imi dhe mund ta pyesni edhe atë. Kaq dua të them për momentin, sepse më vonë me fakte do ju vërtetoj se çfarë abuzimesh bëhen nga Gjoza aty në federatën e peshëngritjes, me një njeri manipulator që llogari fantazëm bën transferta qindra mijëra euro për peshëngrtësit apo gjyqtarët që certifikohen nga Uzbekistani.

Personale nuk ka asgjë besoj në pjesën e sportit, çdo gjë, debatet e përplasjet janë për të mirën e sportit. Personale e ka kthyer federata karshi ekipit të Kamzës, një ekip që me rezultate po arrin të ngjitë shkallët një nga një dhe të tregojë se sporti bëhet nëse nuk vidhet, nëse nuk abuzohet me fondet që jepen për sportistët dhe sportin” – është shprehur presidenti i klubit shumësportësh të Kamzës, Dashamir Çajka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb