I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, mjeku Arjan Harxhi ka komentuar situatën me meningjitin ku ka thënë se rastet që janë shfaqur nuk kanë të bëjnë me epidemi, dhe se nuk ka vend për panik por për të marrë masa.

Ai ka thënë se është normale që të ketë 20- 30 raste në vit në Shqipëri me meningjit por në disa forma ky infeksion është vdekjeprurës siç është ai në cipën e trurit dhe në gjak. Harxhi shton se ky infeksion kap më shumë moshat 1-5 vjeç dhe 14- 20 vjeç.

”Jemi dëshmitarë që ka shumë informacion që qarkullon në rrjetet sociale, ka shumë interes, ka ngjallur shqetësim. Ne jemi bombarduar nga telefonatat,miq, të afërm, pacientë. Është e rëndësishme që të jepen informacione, dhe të mbështetura në fakte. Bëhet fjalë për një infeksion të rrallë, sëmundje e rrallë fatmirësisht por kur shfaqe shenja klinike është agresive dhe ka risk të lartë për komplikacione të larta dhe vdekshmërinë.

Bëhet fjalë nga neseria meningitis, bakter që gjendet rëndom në njerëz sepse është bakter i njeriut. Nuk e kanë kafshët apo ambientet e tjera. Pra njerëzit mund ta kenë në fytin e tyre ose pjesë të tjera. Dhe jep sëmundjen nga meningokoku.

Rastet më të rrezikshme të infeksionit të meningjitit

Dy janë infeksionet e rënda, meningiti në cipën e trurit dhe infeksioni në gjak, nga meningokoku që është me vdekshmëri të lartë 40- 50% edhe në qendra më të specializuara. Nuk kursen asnjë lloj moshe, por e shohim në moshat fëmijnore 1-5 vjeç dhe adoleshentët, mosha 14- 20 vjeç.

Është e transmetueshme, është infeksion arogen, transmetohet prej spërklave. Kontakti i ngushtë me personin mbart rrezik transmetueshmërie.

Nuk mund të përgjigjem pasi as ekspertët nuk mund t’i përgjigjen. Studimet thonë se ky infeksion shfaqet në një person për të dhënë një sëmundje të rëndë. Janë individë që kanë deficite të caktuara imuniteti, problematika imuno- defiçitare dhe nga ilaçet që marrin që e favorizon.

Rastet në Evropë dhe apeli për qytetarët

Konkretisht nëse i referohemi  ISDS, në 28 shtete të BE, vetëm në 2017 janë 3200 raste nga meningokoku. Frekuenca e rasteve është 0.6 raste për 100 mijë banorë. Nuk duhet të bëhet problem, pra dhe në Shqipëri duhet të kemi 20- 30 të prekur. Nuk ka vend për panik, ka vend për të marrë masa.

Simptomat e meningjitit

Ky infeksion jep temperaturë, dhimbje koke, nauze të vjella, fotofobi (bezdi nga drita), përgjumje deri në koma dhe ngrirje të qafës. Mjekësia nuk bëhet dot nga studio apo interneti, bëhet nëpërmjet kontaktit me pacientin.

Nëse forma është më fulminante që në momentet e shfaqjes së temperaturës shfaqen brenda pak orësh njollat dhe tregon që kemi me meningokoksemi. Po dolën njollat risku është shumë i lartë. Është ‘helmim’ i gjakut. Nuk ka epidemi prej kësaj këto ditë në Shqipëri, epideminë e kanë hapur në mediat sociale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb