Ed Sheeran ka kompletuar pjesën më të madhe të këngëve për albumin e tij të ri, i cili thotë se do të mbulojë një periudhë të vështirë që e shtyu atë të reflektojë muzikalisht mbi “mendimet e tij më të thella, më të errëta”.

“Kam punuar në “Subtract” për një dekadë, duke u përpjekur të bëj albumin akustik perfekt, duke shkruar dhe regjistruar qindra këngë me një vizion të qartë të asaj që mendoja se duhet të ishte. Më pas, në fillim të vitit 2022, një sërë ngjarjesh ndryshuan jetën time, shëndetin tim mendor dhe në fund mënyrën se si e shikoja muzikën dhe artin”, tha fillimisht ai në një deklaratë zyrtare.

“Të shkruaj këngë është terapia ime. Më ndihmon të kuptoj ndjenjat e mia. Shkrova pa menduar se cilat do të ishin këngët, thjesht shkrova çfarëdo që më dilte nga zemra dhe brenda një jave, e zëvendësova punën e një dekade me mendimet e mia më të thella dhe më të errëta. Brenda një muaji, gruaja ime shtatzënë zbuloi se kishte një tumor, pa shërim deri pas lindjes”, vazhdoi ai, duke folur për gruan e tij Cheri Seaborn, e cila lindi vajzën e tij të dytë majin e kaluar.

Së fundi, ai iu referua edhe vdekjes së një personi të rëndësishëm në jetën e tij, që e “shënjoi”.

“Shoku im më i mirë Jamal, një vëlla për mua, vdiq papritur. Isha në një përzierje frike, depresioni dhe ankthi. Ndjeva sikur po mbytesha, me kokën poshtë, duke parë lart, por nuk mund të dilja”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb