TIRANE– Zv.kryeministrja teknike, Ledina Mandija, tregon për herë të parë se si ka funksionuar Task-Forca dhe ministrat teknikë me qeverinë Rama. Në një intervistë për “Panorama”, Mandija shprehet se nuk ka pasur asnjë komunikim me Kryeministrin Rama, por vetëm me sekretarin e Përgjithshëm, Engjëll Agaçi.

Ju thatë që nuk është bërë asnjë mbledhje qeverie që kur ju keni marrë detyrat. Si ka qenë kjo marrëdhënie e re e ministrave teknikë me kryeministrin dhe ministrat e tjerë?
Në fakt, mbledhje nuk janë bërë, por është operuar përmes vendimeve qarkulluese sipas vlerësimeve që janë bërë nga ana e sekretarit të Përgjithshëm, zotit Agaçi, nuk ka pasur shumë vendimmarrje gjatë kësaj kohe, sepse VKM 473 të datës 2 qershor, që ishte në fuqi, vendoste një status të ngurtësuar të kompetencave të ministrave. Prandaj fokusi ka qenë drejt kontrollit të administratës publike në fushatë, përdorimit të burimeve financiare gjatë kësaj periudhe.

Ju keni komunikuar vetëm përmes shkresave?
Jo, ka pasur komunikim dhe koordinim me të gjitha ministritë, sepse në postin e zv.kryeministres, unë kam qenë dhe kryetarja e TaskForcës, ku kam kërkuar ngritjen e grupeve të punës për monitorimin e administratës, pra ka pasur një bashkëpunim.

Kanë marrë pjesë ministrat në mbledhjet e Task-Forcës?
Në këto mbledhje nuk kanë marrë pjesë ministrat, një herë ka marrë pjesë zv.ministri i Mbrojtjes, zoti Petro Koçi, ndërsa për sa u përket ministrave, ata ishin të përfshirë në fushatë zgjedhore.

Po zv.ministrat nuk vinin në mbledhje?
Jo, përveç një rasti të zotit Koçi.

Në çfarë niveli hierarkik merrnin pjesë ministritë në TaskForcë?
Sipas ligjit, ministri zëvendësohet vetëm nga zv.ministri. Në mbledhjet tona kanë ardhur shefat e kabineteve, të cilët nuk kanë të drejtën e dhënies së mendimit, por vetëm ndiqnin mbledhjen dhe mbanin shënime.

Ju vetë gjatë kësaj periudhe keni komunikuar direkt me kryeministrin?
Kryeministri ka qenë i përfshirë në fushatë zgjedhore dhe në këto kushte unë kam qenë këtu me sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, jemi munduar që të zgjidhim situatat jo vetëm për funksionimin e Task-Forcës, por dhe për të rregulluar situatat e ndryshme organizative. Por ka pasur një qasje jo pozitive sa u përket ministrave me sekretarët e Përgjithshëm apo me zv.ministrat, duke ashpërsuar edhe etikën e komunikimit. Kam kërkuar që të vendoset një standard etik komunikimi, sepse qëllimi ishte garantimi i zgjedhjeve përmes monitorimit të administratës në fushatën zgjedhore. Konfliktet personale janë shterpë dhe nuk sjellin asnjë produkt.

Gjatë fushatës zgjedhore është thënë që mund të ketë një qeverisje me bazë të gjerë, PS-PD. Nisur nga kjo përvojë juaja, sa mund të funksionojë?
Unë jam propozuar nga opozita, por nuk jam pjesë e strukturës së PD-së, as anëtare e saj. Kam punuar në drejtim të institucioneve shtetërore, si Avokate e Shtetit, si pedagoge, këshilltare e presidentit, në nivel teknik. Kam pasur një ftesë nga ana e opozitës për të përmbushur këtë mision, që ishte modeli i parë në Shqipëri i ministrave teknikë, por që mund të konsiderohet në të ardhmen. Sa u takon vendimeve politike, ato nuk më takojnë mua. Ne jemi duke përfunduar një raport referuar detyrës që kishim. Presim informacionet e fundit nga të gjitha ministritë dhe institucionet që i ngarkonte ligji, dhe pas kësaj do të bëhet e qartë nëse ia vlejti apo jo kjo eksperiencë dhe ndoshta edhe për të bërë rekomandime në të ardhmen.

A pati një rezultat puna e ministrave dhe drejtorëve teknikë në qeveri?
Pavarësisht të gjithave, pati një rezultat. Edhe pse u etiketuam si Gestapo, çdo vendim yni ka qenë vetëm në përputhje me ligjin. Ka pasur një angazhim maksimal të ministrave teknikë për të adresuar të gjitha shqetësimet e qytetarëve dhe subjekteve elektorale në lidhje me objektin që ne kishim, sa i takon përfshirjes së administratës në fushatë, apo të përdorimit të fondeve financiare, apo të mbështetjes nga Policia të subjekteve politike apo të elementëve të krimit. Ne nuk kemi bërë vlerësime në paragjykim, por çdo rast është trajtuar sipas ligjit.

Çdo vendim që është marrë nga ne është bërë pas një vlerësimi të plotë dhe jo thjesht nisur nga një foto. Numri më i madh i ankesave të zyrtarizuara ka ardhur nga LSI-ja, por jo çdo gjë trajtohej nga TaskForca, por janë dhe institucionet e tjera që i trajtonin. Zhurma më e madhe u bë për shkak se shkarkimet u bënë vetëm nga ministritë që mbulonin ministrat teknikë dhe nuk kanë ardhur nga ministritë e tjera. Jo të gjitha rastet e referuara në Task-Forcë kanë çuar në shkarkimin e zyrtarëve, vetëm ato që janë vërtetuar në shkelje të ligjit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: