Qendra kombëtare e Librit dhe Leximit, Biblioteka Kombëtare, Muzeu kombëtar i Përgjimit “Shtëpia me gjethe” dhe Autoriteti i Dosjeve e kanë shpallur 2025-ën, vitin e Maks Velos, duke premtuar të mbajnë një sërë aktivitetesh që përkujtojnë arkitektin, piktorin dhe intelektualin kontrovers e të pakompromis që dëshmoi në diktaturë dhe në liri, formatin e njeriut të lirë.

“Ky është një mesazh për të mos harruar por edhe si mund ta përdorin vlerën që ka lënë në diskursin e sotëm publik”, tha Alda Bardhyli nga QKLL.

“Intelektual i papërsëritshëm Maks Velo. Ka pasur një kontribut në planin urbansitik të Tiranës dhe në projektimin e godinave publike të asaj kohe”, tha Etleva Demollari.

I dënuar për shkak të daljes nga normat e shoqërisë komuniste dhe kanoneve të realizmitg socialist si metodë arti, ai ende kujtohet për mendimin kritik dhe si njeriu që sfidoi pushtetet e drejtuesit politikë që cënonin lirinë, demokracinë dhe artin. Veprat që la pas sfidojnë ende.

“Ishte një nga njerëzit që adhuroja për atë që përfaqësonte por edhe për faktin që megjithë atë të shkuar tragjike që kishte, nuk mbeti peng i së shkuarës. Ishte një nga personazhet më aktive në jetën qytetare shqiptare”, tha Piro Misha, drejtori i BKSH-së.

“Ka qenë nga të parët që e botoi dosjen, mendoj që i ka bërë një shërbim shumë të madh shoqërisë, sepse ka treguar se si, jo vetëm Sigurimi i shtetit, por edhe institucionet e artit janë përkulur e janë deformuar”, tha Genta Sula, kryetare e Autoriteti të Dosjeve.
Velo e pagoi lirinë e tij në të dyja kohët, në të parën me burg, në të dytën me armiqësitë, por kjo nuk e stepi të shqiptonte mendimet e tij, me polemika që e përmirësuan shoqërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb