TIRANË

Deputeti i PS, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kërkuar nga politika përgjegjshmëri më të lartë për të mos ndërhyrë apo intimiduar institucionet e reja të drejtësisë.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, Xhafaj deklaroi se pavarësia e Prokurorisë në tërësi, por në mënyrë të veçantë pavarësia e prokurorëve të posaçëm është fondamentale për suksesin, për realizimin e pritshmërive, për rritjen e besimit të publikut te drejtësia dhe posaçërisht te SPAK.

“E kam lexuar variantin e shpërndarë të rezolutës së SPAK-ut dhe riformatimin që kishte prezantuar. Dua ta vlerësoj punën e bërë nga kolegu Majko, paraqitjen serioze që i bëri. Ai tha një gjë shumë interesante, kjo është rezoluta e parë që bën Kuvendi për SPAK-un. Kjo mund të mos rrjedhë nga një kërkesë e shprehur në ligj drejtpërdrejt, por është në frymën e kushtetutës dhe dy ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e kësaj strukture. Pavarësia e Prokurorisë në tërësi, por në mënyrë të veçantë pavarësia e prokurorëve të posaçëm është fondamentale për suksesin, për realizimin e pritshmërive, për rritjen e besimit të publikut te drejtësia dhe posaçërisht te SPAK. Ndoshta do duhet t’i adresohemi nevojës për një qasje, t’i drejtohemi politikës së të gjitha krahëve, Kuvendit, për të qenë më të përgjegjshëm, për ta kuptuar më mirë rolin dhe përgjegjësinë e dy pushteteve dhe politikës në përgjithësi ndaj këtij pushteti të ri dhe SPAK-ut posaçërisht. Nëse opozita sjell këtu deklaratat e kryeministrit apo të ministrit të Drejtësisë ne duhet të rrinim këtu dhe po të sillnim në vëmendje deklaratat që janë bërë nga krahu i përfaqësuesve ose më saktë atyre që janë ulur në karriget e opozitës do duhej të ishte një rresht i gjatë emrash, me akuza dhe disa shprehje që janë jo demotivim, por janë përpjekje për delegjitimim të punës së tyre”, tha Xhafaj.

Ai theksoi se kemi nevojë për një qasje të re, një përgjegjshmëri të re të politikës në raport me drejtësinë dhe posaçërisht me SPAK-un.
“Ne nuk mund ta mbysim SPAK me lloj-lloj çështjesh që të rritet perceptimi negativ në raport me atë që bëjnë. Përgjegjshmëri më të lartë të politikës në raport me institucionet e reja të drejtësisë për të mos ndikuar në intimidimin e tyre, kontrollin e veprimtarisë së tyre. Nëse do arrijmë ta përcjellim këtë frymë në debatin në Kuvend do ishte një hap i parë pozitiv”, u shpreh ish-ministri.

Ai tha më tej se sot e kemi të garantuar në Kushtetutë dhe ligj pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe se ato mund të reagojnë sa herë ndaj tyre ka përpjekje për t’iu deformuar vullnetin.

“E dyta, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që nëse ka një gjë të mirë reforma kushtetuese për drejtësinë, është garantimi në kushtetutë i pavarësisë së tyre. Sot e kemi të garantuar në Kushtetutë dhe ligj pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Problemi që kemi ne është jo se çfarë thonë faktorët e jashtë, por çfarë bëjnë ata, si reagojnë ata. Unë bie dakord që ata të reagojnë, sa herë që ndaj atyre ka përpjekje për t’i deformuar vullnetin, për t’i demotivuar dhe për ndikuar në veprimtarinë e tyre. Ajo që duhet të jemi të shqetësuar është se ata nuk kanë pasur një zë të fortë publik. Ajo që është më e rëndësishme është përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e tyre. Se që do ketë, ka pasur dhe do ketë nga politika, nga mediat. Kemi raste të mediave të caktuara që sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarë të caktuar për interesa të drejtpërdrejta të tyre, është fakt dhe pastaj një pjese të tyre i jep zë politika në shërbim të tyre të lidhjes së politikës me biznesmenë të caktuar dhe interesave të caktuara të biznesit. E rëndësishme të vihet theksi te përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e tyre”, deklaroi Xhafaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: