Letër e njëanshme e retorikë politike,kështu e ka konsideruar përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, letrën e opozitës së bashkuar për OSBE/ODIHR. Në mbledhjen e radhës së këshillit politik Gjiknuri u shpreh se nuk mund të firmos letra të njëanshme, të cilat në këndvështrimin e tij janë vijim i retorikës politike.

Gjiknuri kërkoi nga opozita e bashkuar të sjellë një draft propozim konkret, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i drejtohen OSBE/ODIHR.

“ODIHR i drejtohemi vetem me produkt konkret. Pres propozimet tuaja konkrete per amendamentet. Tek ODIHR drejtohemi për mosmarrëveshjet për draftet, jo mosmarrëveshje teorike. Sipas 14 Janarit, ODIHR i kërkohet opinion për cështje të administrimit zgjedhor”, -mësohet të jetë shprehur Gjiknuri në mbledhjen e Këshillit politik.

Kujtojmë se opozita e Bashkuar paraqiti në mbledhjen e Këshillit Politik një kërkesë konkrete për të marrë asistencën e OSBE\ ODIHR për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord. 5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për:

1. A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?
2. A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR.
3. A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?
4. A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?
5. Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?

Në letrën drejtuar OSBE/ODIHR, ku shpjegohet edhe qendrimi i palëve, opozita thekson se koha e përgjigjes është shumë e rëndësishme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb