Partizani do të luajë nesër kundër Saburtalos, ndeshje e vlefshme për turin e parë të Conference League. Në sfidën e parë të kuqtë kanë triumfuar me rezultatin 1-0 dhe çështja kualifikim duket më e thjeshtë.

Para takimit, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri Dritan Mehmeti dhe kapiteni Egzon Belica. Fillimisht ka folur “timonieri” i të kuqve i cili kërkon të mbajë me këmbë në tokë të tijtë për të mos e konsideruar kualifikimin kapitull të mbyllur pa përfunduar 90 minutat. Në fjalën e tij, Mehmeti u shpreh:

NDESHJA E KTHIMIT- “Çdo ndeshje ka shkallën e vështirësisë së saj. Nga njëra ndeshje në tjetrën, ka historinë e vetë. Duhet të jemi të përgjegjshëm. Duhet të harrojmë ç’kemi bërë në Gjeorgji. Të japim maksimumin nesër dhe mos të mendojmë se çfarë kemi bërë.

Sulmuesit? E kam thënë gjithmonë që kemi probleme para porte. Diferencat bëhen te detajet kur ti di të shërbesh apo e përfundon aksionin.

Kundërshtari? Mendoj që duhet të kemi parasysh që e njohim kundërshtarin. Saburtalo punon mirë me akademinë. Kanë edhe 4-5 lojtarë që luajnë në ekipin A apo në skuadrën Shpresa. Kanë vlerat e tyre, por edhe ne vlerat tona.

Ne do të bëjmë maksimumin në aspektin psikologjik sepse luhet para tifozërisë tonë. Ata janë të pandarë drejt suksesit. Do t’i kërkoj skuadrës mos të kalojë në entuziazmin e tifozërisë. Me Saburtalon arritëm të shënonim shumë shpejt në pjesën e dytë.

Patëm edhe 2-3 momente përpara që kundërshtari të na vinte në vështirësi. Unë i kuptoj mirë futbollistët që janë në fushë. Në 10 minutat e fundit ndikoi se kundërshtari është në aktivitet. Shpresoj që nesër të jemi më efikas.

Unë mendoj që jemi fokusuar te skuadra jonë. E pe shumë mirë forcën e kundërshtarit. Që nga janari kemi parë vetëm gabimet tona. Nesër s’mund të them nëse do të mbrojmë ose sulmojmë. Por do të vendosim sipas situatës. Prandaj është i bukur futbolli se është i paparashikueshëm.

Bitri? Duke qenë në periudhë merkatoje, ka edhe zëra. Bitri është nga lojtarët që meriton respekt. Është pjesë e klubit dhe shumë e rëndësishme. Unë e vlerësoj skuadrën në bazë të grupit. E kam ndërtuar skuadrën me Bitrin. Shpresoj që të vazhdojë me ne.

Kampion si zv/ trajner apo suksese në Europë si trajner? Unë jam shumë komod këtu ku jam. Kam qenë kampion edhe në Kategorinë e Parë. Tani për momentin jam trajner i parë.

Zgjedhjet? Për të qenë i sinqertë, jemi në periudhë merkatoje. Sa i përket largimeve apo afrimeve, janë larguar shumë elemente, Partizani fitonte titullin kampion. Patjetër që jemi në formim e sipër.

Megjithatë që të përballosh një kampionat kaq të gjatë, të arrish objektivat madhore, është vetë klubi që t’i imponon objektivat madhorë. Jemi në kërkim e sipër gjatë merkatos. S’është se kemi zgjedhje të përcaktuara.

Penalltitë? Një trajner përgatitet për gjithçka. Kemi parasysh, duhet të kemi besim te vetja. Lojtarët janë profesionistë, pavarësisht ndeshjeve vajtje-ardhje, duhet të përgatitesh. Ne do të futemi të bëjmë maksimumin, të japim gjithçka. Nuk ia lëmë asnjëherë spontanitetit. Siç stërvitemi ne, stërvitet edhe kundërshtari.

E ardhmja? Trajneri është i rrezikuar pavarësisht se çfarë ke bërë më përpara. Nuk ndihem fare në presion sepse kemi bërë në maksimumin. Skuadra është në ndërtim e sipër. S’mund ta menaxhoj të ardhmen se çfarë do të ndodhë. Nuk kemi menduar asgjë më shumë”, tha trajneri i Partizanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb