Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një vizitë në Vatikan ku u prit në takim nga Papa Françesku.

Në një intervistë për median italiane, Gazeta Il Tempo, kreu i shtetit shqiptar, nuk ka lënë jashtë vëmendjes situatën në Ballkanin Perëndimor dhe i ka kërkuar Papa Françeskut që Vatikani të njohë Kosovën.

Sipas tij, kjo do të ndihmonte akoma më shumë përpjekjet për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Eksperienca jonë ballkanike na mëson që nuk mund të luhet lojë luftrash në rajonin me të kaluar dhe të sotme problematike. Për këtë arsye duhet dialog i vazhdueshëm, prosperitet ekonomik, energji pozitive për qytetarët tanë, por mbi të gjitha një projeksion i mirëfilltë Evropian për të ardhmen tonë. Zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk ka pse të përballet me Europskepticizmin e brendshëm të disa forcave politike të BE-së, por duhet të jetë e vetmja rrugë për ta bërë të gjithë Ballkanin pjesë të BE-së larg influencës së fuqive të treta në rritje. Gjithashtu, roli i Papës dhe i Selisë së Shenjtë është shumë i rëndësishëm për të shtuar vëmendjen e BE-së dhe të Perëndimit, jo vetëm për të ruajtur paqen në Rajonin e Ballkanit, por edhe për të siguruar të ardhmen Evropiane të Ballkanit. Në këtë pikëvështrim sigurisht i kërkova Papa Françeskut që Vatikani të njohë Kosovën si shtet, pasi kjo njohje do të ndihmonte akoma më shumë përpjekjet për dialog Beograd-Prishtinë që po udhëhiqen sot nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Begaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb