I ftuar në ‘Frontline’ në News24, Dashamir Shehu foli për presidentin e ri të zgjedhur dhe nismën Ballkani i Hapur, takimi i radhës i të cilit do të mbahet nesër në Ohër.

Në lidhje me presidentin e ri, Shehi i ka dhënë një këshillë zotit Begaj, që edhe përse është zgjedhur me votat e Partisë Socialiste, ka të gjitha mundësitë që të jetë një kryetar shteti mbi palët.

Mbi Ballkanin e Hapur, ai u shpreh se nuk ka pritshmëri dhe se Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim të ndryshëm, duke përafruar qëndrimet me Kosovën e jo me Beogradin. Sipas tij e gjithë nisma është konceptuar si një PR politik nga Rama dhe Vuçiç për të ngritur figurën e tyre në sy të botës.

“Nuk asnjë rëndësi sepse nëse do të ishin të gjithë në parlament për simpati personale mund të merrte edhe më shumë vota. Meqë ishte i një pjese mazhoranca u mbrojt, ka shumë mjete dhe qeveria ka gravitet të madh. Jo të gjithë aty janë për të mbrojtur parime ideologjike të lirisë e demokracisë, por edhe për interesat e veta personale. Nuk është një gjykim për personin sepse nuk e njohim personin, do ti uroj punë të mbarë. Nëse do të pranonte një këshillë nga distanca do t’i thoja: je zgjedhur me votat e PS dhe është i përzgjedhur i Ramës, por ka të gjithë shanset e mundësitë për të qenë president i të gjitha palëve. Ka kohë të mjaftueshme përpara. Mes emrave të tjerë që qarkulluan e quaj më të pranueshmin, koha është i vetmi element garancie. Respekto ligjin dhe institucionet dhe do të mbahesh mend për mirë.

Në lidhje me mos marrjen pjesë të opozitës në votim, mund të them që opozita e humbi shansin dhe betejën për të projektuar pjesën e mirë të vetën. E shpërdori me marritë e luftat e brendshme. Meta u zgjodh me votat socialiste e u bë kundërshtari më i madh. Nuk dua një president të bëhet kundërshtar i qeverisë si Meta.

Presidenti i ri nëse është dinjitar i shtetit do ta bëjë dhe do të respektohet nga qytetarët dhe klasa politike”, tha ai.

I pyetur mbi faktin që duke ardhur nga një profesion tjetër si mjek e më pas si ushtarak, ndoshta presidenti i ri do të ketë ambicie të mëtejshme për të qenë pjesë e politikës, zoti Shehi e quajti të qenit president, si stacionin e fundit të një karriere politike, ose të paktën kështu sipas tij duhej të ishte.

“Funksioni i presidentit nuk është trampolinë, është terminali i një jete politike, është pika fundore, pas asaj tërhiqesh nga politika për të bërë të urtin. Veç Moisiut thuajse askush tjetër nuk është tërhequr.

SHBA që kanë presidentin e botës, edhe kur ikën 55 vjeç si Obama nuk ka më një rol të madh në politikë. Nuk është forma më dinjitarë për një president ta kërkojë një gjë të tillë. Koha më ka dhënë të drejtë për këtë. Kemi zgjedhur president nga 45 vjeç, jeta e tij politike mendohet të mbarojë 50 vjeç që është shumë i ri. Politika zgjedh të urët e saj për ti vënë në këtë funksion”, tha ai.

Marsela Karapanço: Në Maqedoninë e Veriut shtrohet darka solemne për Ballkanin e Hapur, me Abazoviçin si spektator por pa Kosovën. Çfarë prisni nga kjo?

Dashamir Shehi: Do të uroja me gjithë zemër që marrëdhëniet në ballkan të ishin të hapura, por marrëdhënie me Ballkanin e Hapur ishte e gabuar. Nëse bëhet për dekorin e një teze të zbrazur, le të afrohen. Ballkani i Hapur vuan nga shumë gjëra, mes të cilave do evidentoj dy. 1- Që është e jona që ne për sa kohë që me Kosovën nuk kemi një linjë të përbashkët, duhet të shkojmë pas tyre.
2- Me cilin po e bëjmë partnershipin dhe kujt po ja japim lidershipin në këtë marrëdhënie. Po ja japim dikujt që nuk ka vendosur ende nëse do të qëndrojë krah BE apo Rusisë. Këtu ka teza të mëdha, përveç të tillave si gruri apo hekurudhat. Jemi kush është partneri që po i delegojmë shumë në politikën e jashtme. Po bëhemi sherrxhi e armiq me bashkëkombasit tanë që edhe në qofshin të gabuar nuk mund të zihem me tim vëlla për të shkuar mirë me komshiun. Ky është një fiction politik për të ngritur vetën në sytë e botës, një lloj marketingu politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb