60 familje të komunitetit Romë në qytetin e Beratit jetojnë në skamje dhe varfëri të plotë. Lagjja në periferi të qytetit, ku jetojnë rreth 600 banorë të këtij komuniteti është një zonë informale, e mbushur me kasolle e çadra. Ata jetojnë mes baltës, plehrave dhe varfërisë, të pashpresë se kjo situatë do të ndryshojë ndonjëherë.

Sapo hyn në këtë lagje sheh vetëm kasolle të shkatërruara e pa çati, çadra me tezga, rroba, hekura e kanaçe të shpërndara gjithandej dhe fëmijë këmbëzbathur që bredhin nëpër oborre. E vetmja mënyrë jetese për këtë komunitet është shitja e rrobave të përdorura me tezga nëpër tregje, ndërkohë që shumë prej tyre i mbajnë familjet me bukë vetëm duke shitur kanaçet që mbledhin në koshat e plehrave dhe duke mbledhur hekurishte ku të mundin. Banorët shprehen se jetojnë në varfëri ekstreme, herë me bukë e herë pa bukë sepse nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike. Banorët pohojnë se thuajse të gjithë pjesëtarët e këtij komuniteti punojnë në të zezë për të sjellë të ardhura pranë familjes së tyre, edhe pse ato nuk mjaftojnë as për të mbajtur shpirtin gjallë.

“Mbledhim kanaçe në koshat e plehrave dhe i shesim. Me to arrijmë të sigurojmë 200 lekë (të reja) në ditë, sa për të blerë bukë ose shesim rroba të përdorura me tezga në tregje. Jetojmë në këto kasolle të shkatërruara. Flemë në çimento dhe në dimër i gjithë shiu që bie jashtë na hyn brenda në banesë. Shteti nuk i ka hedhur asnjëherë sytë nga ne pasi jemi romë, nuk marrim as përkrahje sociale dhe as pension, ndërkohë që çdo familje jona përbëhet nga shumë anëtarë”- ,shprehen banorët e komunitetit Romë në Berat.

Ky komunitet është vendosur në periferi të qytetit të Beratit, në zonën që njihet si “Ish-Pjeshkorja” rreth viteve 1985. Në këtë zonë u vendosën edhe familjet e para Rome që sot përbëjnë numrin më të madh të familjeve që jetojnë në këtë zonë në Berat, zonë që vijon të jetë ende informale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: