Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me disa pensionistë në Vlorë ku është njohur me problematikat që ata kanë hasur gjatë pandemisë dhe më parë.

Pensionistët janë ankuar për pensionet që marrin, duke konstatuar se qeveria e Ramës nuk ka bërë rritje të konsiderueshme, madje ata e krahasojnë me qeverinë Berisha për të cilin thonë se premtoi, dhe vërtet pensionet nuk u dyfishuan 100%, por arritën 85-90%.

Për më tepër pensionistët i thanë Bashës se Vlora po zbrazet nga të rinjtë, teksa vetë ata nuk po përballojnë dot shpenzimet e pandëmisë për maska e dezinfektantë pasi qeveria nuk i ka dhënë asnjë ndihmë në këtë aspekt.

Nga ana tjetër Lulzim Basha i ka garantuar se nesër pensionistët dhe gjithë qytetarët e Vlorës e Shqipërisë do të kenë një qeveri të përgjegjshme e kryeministër të përgjegjshëm, që do të mundësojë rritjen e pensioneve, ndihmën ndaj qytetarëve që u goditën nga pandemia si dhe një ndryshim.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

NJOFTIMI NGA PD

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME PENSIONISTË NË VLORË

Gjatë vizitës në Vlorë, kryetari Basha u takua me një grup pensionistësh të cilët diskutuan problematikat e tyre për pensionet dhe pandeminë. Ata i thanë kreut të opozitës se janë lënë krejtësisht në harresë dhe me pensionet nuk arrijnë dot të blejnë as ushqimet bazë.

Bashkëbisedimi i kryetarit Basha me pensionistët:

Pensionist: Sot, jam me gruan në shtëpi, kam 3 fëmijë. Një e kam këtu, punon, jeton me gjithë të shoqen. 2 i kam në Itali. Ata dy, të dy kanë nga tre fëmijë, burrë e grua 5, marrin 1200-1300 euro në muaj, se janë në punë stabël. Gratë herë punojnë, herë nuk punojnë, kështu që është e pamundur të na ndihmojnë. Po e them një kështu si punë barcaletë. Këtë vit që kaloi, vajta morra pensionet timin dhe të gruas. Lekët e shtesës, i lash mënjanë. Ikim te “Mira Mare”, te kalaja për të pirë kafe, vumë lekë të tjera sepse nuk na dolën për të pirë. Ime shoqe mori një supë me selam me farë i thonë, unë një kafe një raki, vumë lekë të tjera. Kaq ishte shtesa. Duhet të themi që zoti Sali Berisha premtoi kur mori qeverinë herën e parë që në 8 vjet do t’i dyfishojë pensionet. Mbase nuk u dyfishuan 100% po vajti 85-90%, ndërsa tani jemi.

 

Pensionist: Ne jemi kontigjenti i pensionistëve që është një masë e madhe në vendin tonë dhe padyshim janë njerëzit që kanë kontribuar goxha sot, për shembull janë pothuajse të diskriminuar. Po të shohësh pensionet sot janë qesharake. Është ajo fjala që tha zotëria para nesh që qeveria paraardhëse bëri goxha punë ndërsa gjatë 8 vjetëve që shohim të qeverisjes së socialistëve, nuk shohim asnjë lloj ndryshimi aq më tepër kur ky popull i dha zotërisë që sot është kryeministër të drejtonte timonin por fatkeqësisht ky e ka kthyer timonin jashtë rrugës domethënë ka marrë një drejtim tjetër, mori tepsinë por si e ka ndarë këtë tepsi, është vetëm pjesa e oligarkisë pjesa tjetër e popullsisë nuk ka përfituar asgjë.

Pensionist: Asnjë gjë, nuk po bëhet ndonjë investim kjo është një nga arsyet e një emigracioni të madh sidomos të brezit të ri se s’ka mundësi punësimi.

Lulzim Basha: Meqë e hape këtë më fal se s’dua të ndërpres, po ai thotë unë e bëra Lungomaren si shpjegohet që nga njëra anë bëri Lungomaren nga ana tjetër në Vlorë numri i të rinjve dhe të rejave që largohen është më i madhi në Shqipëri?

Pensionist: Është një fakt i pamohueshëm që tendenca e tij është për t’i turrur dhe po të vesh re në të gjithë qytetet më shumë janë bojatisur janë fasada po këto nuk sjellin asgjë problem është investimet ato krijojnë vende pune. Pikërisht ky kontigjenti i të rinjve që janë të arsimuar dhe që janë kontigjent që mund të themi vërtet i kualifikuar, këta duhen future në administratë. Administrata sot është pothuajse e paaftë fare, nuk zgjidh dot asnjë problem. Një problem tjetër interesant është që 1/3 e popullsisë, 1 milion e 112 mijë qytetarë tanë janë emigracion. Të krijohen mundësitë e konkurrencës midis njerëzve të aftë të cilët futen nëpër administrata dhe t’i shërbejnë popullit. Institucionet janë jashtë loje, qeverisja vetëm po bën propagandë dhe faktikisht asnjë gjë konkrete.

Pensionist: Sot jemi në një terror më të vështirë sesa në ato vite që njerëzit kishin rënë në atë rehatinë e shtratit të diktaturës. Sot unë shikoj që populli i Vlorës po e vuan shumë.

Pensionist: Sot është një fatkeqësi kombëtare që na ikin djemtë, nuk ikin se duan të ikin por po i përzëmë me shkop. Po ikin se ka humbur shtresa dhe kjo na bën që ne moshatarët të ndihemi keq. Zoti Basha vij dorë në këtë Shqipëri se ka nevojë për ndryshim, ka nevojë për çdo gjë, nuk është puna se na mungon vetëm një problem por ne kemi shumë problem të mëdha dhe do na rritet shpresa me ardhjen me ndryshimin që kemi, më falni kaq kisha.

Lulzim Basha: Faleminderit zoti Zenel, faleminderit shumë!

Pensionist: Të gjitha të metat e tij që përsa i përket drejtimit të ekonomisë dhe përparësisë ndaj pensionistëve. Janë të braktisur totalisht nga halli që kanë ikur fëmijët, problemet ekonomike dhe ca nga qeveria që i ka braktisur totalisht fare, komplet. S’na ka dhënë asnjë ndihmë. Na thonin vetëm mos dil jashtë kur një maskë ishte 2500 lekë. Cili ishte ai pensionist që mund ta blinte? Mire ne që kemi fëmijë jashtë që edhe na ndihmojnë, po të tjerët që s’kanë fare? Mjerë ky popull.

Pensionist: Çfarë kërkoj unë si mësues që kam qenë 42 vjet dhe jam i kënaqur në thonjëza për pensionin që marr. Sado sikur edhe një milionë të marr, kur s’kam fëmijët në shtëpi çfarë do t’u gëzosh atyre lekëve. Lerë që s’arrij kurrë në atë masë njëherë edhe tani kur i thonë muhabetit dolëm në pension fëmijët thonë hajde në Vlorë rri me të tjerë.

Pensionist: Pensionistët janë…. Nuk është rritje pensionit ajo 2 mijë lekë. 2 mijë lekë s’është asnjë… 2 mijë lekë. Unë kamë dy djem, të dy i kam pa punë dhe nusen e të madhit e kam pa punë. Dy pensionet tanë, timen dhe të gruas time edhe nusja e djalit të vogël punon në një sufllaqe këtu tek Konadi mbajmë 11 fëmijë me bukë.

Lulzim Basha: Unë dua t’ju falenderoj për mundësitë që më dhatë të bashkëbisedojmë dhe e di fare mirë se për 99.9% të pensionistëve shqiptarë pensioni është i pa mjaftueshëm. Po s’pati pak ndihmë nga fëmijët e ka të pa mundur të kaloj muajin. E ky është një problem që jo vetëm s’ka marr zgjidhje 8 vite me radhë, pensionin e ka rritur më pak se ç’është rritur inflacioni. Pra, më shumë janë rritur çmimet e ushqimeve bazë dhe konsumit të përditshëm, më shumë rritur kosto e jetës se ç’është rritur pensioni. Investimi i parë duhet bërë te ekonomia që të krijojë vende pune për rinin, se në qoftë se rinia gjen vende pune, nuk largohet atëherë jeta do të jetë më e thjeshtë edhe për ju. Do kenë mundësi t’ju ndihmojnë ju, do kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre në këtë vend dhe padiskutim sa më shumë të punësuar, sa më shumë kontribute shoqërore aq më i madhë fondi i pensioneve aq më të lehtë e ka qeveria e ardhshme për të bërë një politik të rritjes së pensioneve në një masë që ju të përfitoni. Pyetja që duhet të marrë përgjigje më 25 prill nga Vlora dhe nga e gjithë Shqipëria është: A mund të vazhdohet kështu edhe një ditë të vetme? Jo! Kështu nuk vazhdohet më. Boll më kështu. Ka nevojë për ndryshim, një ndryshim që të sjellë shpresë dhe ndryshimi që sjell shpresë është një qeveri që e drejton vendin, resurset e vendit, paratë e taksave tuaja tek njerëzit, tek ekonomia. Nuk jemi në një situatë pamundësie. Shqipëria është një vend me mundësi të jashtëzakonshme dhe nesër ju garantoj do të keni një qeveri dhe një kryeministër të përgjegjshëm që i njeh, i ka prekur hallet, dhimbjet, vuajtjet e njerëzve. Për ne prioritet absolut do të jetë ndihma financiare për të gjitha familjet e goditura nga kriza dhe të goditura dyfish nga pandemia natyrisht duke përfshirë dhe pensionistët, se ju me këto pensione mezi ia dilnit para pandemisë e jo më tani që duhet të bëni shpenzime shtesë për një maskë, një dezinfektant. Nuk mund të vijë ndryshimi pa e larguar të keqen. Largimi i të keqes është hapi i parë që i bashkon të gjithë, të djathtë e të majtë .Po ju them që nga koalicioni opozitar e dhjetëra faktorë të tjerë edhe socialist të ndershëm, sot janë vetëdijësuar që hapi i parë për ndryshim është të largojmë të keqen. Gjërat duhet dhe do të ndryshojnë dhe ndryshimi fillon me largimin e të keqes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb