MALTA

Një ngarkesë rekord prej 740 kg kokainë është kapur në një konteiner me banane në Maltë.

Gjatë kontrollit nga oficerët doganorë u zbuluan në 37 kuti droga me vlerë prej 100 milion eurosh.

Konteineri vinte nga Ekuadori dhe si destinacion kishte Ballkanin, saktësisht Slloveninë.

Nga rezultatet e drogës rezultoi se ishte kokainë shumë e pastër. Trendi i trafikut të drogës nga Amerika Latine me konteinerë bananesh është parë shpesh dhe në Shqipëri. Në 2018 u shënua dhe sasia rekord në Shqipëri e 613 kg kokainë të kapura në Durrës që si destinacion kishin kompaninë e Arbër Çekajt.

Një tjetër ngarkesë në 2019 pritej të vinte në Durrës, por ajo u zbulua në portin e Pireut në Greqi dhe më pas u konkludua se 700 kg kokainë ishin fshehur në 12 konteinerë bananesh. Kokainë do të shkonte në Durrës e Selanik. Në Shqipëri kokaina ishte zëvendësuar me oriz.

Ndërkohë për këtë vit në prill u kapën 49 kg kokainë të fshehura po në një konteiner bananesh dhe Policia arrestoi Selim Çekajn pasi destinacion kishte po Maminasin.

Disa ditë më vonë një tjetër ngarkesë prej 143 kg kokainë u kap në Durrës, destinacion kishte Kombinatin. Për këtë ngarkesë u arrestuar administratorët e firmës pritëse në Shqipëri, Erjon Peti dhe Klajdi Xibraku.

Në maj në Lipjan të Kosovës u kapën 400 kg kokainë të fshehura në një konteiner me mish. Rezultoi se konteineri kishte kaluar nga Durrësi dhe në Port u vëzhgua për 15 ditë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb