Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24 u rikthye historia e trishtë e 43 vjeçares, Hena Zela.

Ajo është nënë e dy fëmijëve e cila jeton me frikën e të nesërmes, por situata e koronavirusit e ka shtuar edhe më shumë varfërinë në familjen e saj. Në studion tonë, më herët Hena ka ndarë një rrëfim jetësor dhe prekës. Prej vitesh është dhunuar nga burri i diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor, por dashuria për familjen i ka ushqyer nënës së vuajtur ndjenjen e faljes.

Ajo ka kërkuar që bashkëshorti të rikthehet pranë tyre, por kërkesa e saj nuk është përkrahur nga institucionet e drejtësisë. Në këtë situatë pandemie, Hena është e frikësuar më shumë për shëndetin burrit, i cili nuk është në gjendje të kujdeset për veten. Tashmë prej disa ditësh, përshkak të izolimit, 43 vjeçarja është e papunë dhe hallet janë shtuar në jetën e saj. Edhe pse e zhytur në borxhe dhe në luftë për bukën e gojës, ajo iu drejtua studios së emisionit “Me Zemër të Hapur” e shqetësuar për jetën e bashkëshortit.

“Bashkëshorti është i mbyllur në burgun e Zeharisë në Krujë. Jam e frikësuar, pasi shëndeti i tij është i rrezikuar nga koronavirusi. Ai nuk është në gjendje që të kujdeset për veten. Burri është 54 vjeç dhe ka çrregullime të shëndetit mendor. Kam kushte shumë të këqija jetese. Marr një ndihmë ekonomike prej 3 mijë lekësh. Kam kredi për të larë dhe tani jam e papunë. Deri tani kam ecur me forcat e mia, por nuk mundëm më. Jam bërë gjysëm robi, s’kam fuqi. Vajza duhet të bëjë detyrat online dhe nuk kam internet në shtëpi. Fëmijët e kërkojnë babain e tyre, por nga ana tjetër kanë frikë nga ai. Takimi i fundit me bashkëshortin ka qenë në muajin shkurt. Kur e takoj më duket i qetë. Biseduam për fëmijët, ishte mërzitur për fëmiljen. Më tha se nuk ndihet i sigurtë në burg, pasi e ngacmojnë. Pyeta juristin dhe më tha që nuk mund të lirohet sepse është na paraburgim. Nuk më japin shpresë”,- tha gruaja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb