Humbja me Kukësin nuk është bërë dramatike te Tirana. Bardheblutë nuk duken të rënë psikologjikisht nga disfata e parë në kampionat, duke qenë besimplotë për të bërë menjëherë kthesën në ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut në Korçë. Në prag të kësaj sfide ka folur zv.trajneri Erbim Fagu, i cili thekson se Tirana nuk e nënvlerëson aspak ekipin korçar.

Skënderbeu – “Skënderbeu është paraqitur mirë, por ne vijmë nga një humbje me Kukësin dhe do japim maksimumin për të marrë tri pikët vazhduar udhëtimin tonë”.

Sfidat direkte – “Ne i kemi marrë pikët maksimale me rivalët direkt. Kemi lënë pikë me skuadrat që janë në fund të kualifikimit. Nuk kemi pengje sepse ndeshjet kanë qenë në rritje dhe është pozitive për skuadrën dhe stafin.”

Memelli – “Memelli është trajner i ri që ka bërë mirë. Ka qenë pjesë e Tiranës por çdo gjë ndryshon dhe nuk do ndryshojë te rrjedha e ndeshjes. Kemi planin tonë dhe kemi ndërtuar ekipin në planin tonë.”

Disfata ndaj Kukësit – “Humbja me Kukësin nuk është se na ka ulur moralisht, por erdhi një moment që ishim vërtet mirë. Lodhja që pësuam në ndeshjen ndaj Dinamos ndikoi. Zhvilluam një lojë të dobët dhe humbja erdhi për shkak të saj. Në futboll edhe do humbësh, por ne kemi lojtarë të rinj dhe me karakter që do të reagojnë”.

Presioni – “Tirana është mësuar që të jetë gjatë gjithë kohës nën presion. Është e vërtetë që shumë veta kanë pritur që Tirana të humbasë, por kemi lojtarë me karakter të fortë, pas humbjes me një rival direkt, do japim përsëri maksimumin. Futemi në çdo ndeshje për të dhënë maksimumin.”, tha Fagu.

Në prag të ndeshjes ndaj Skënderbeut në Korçë, nesër në orën 16:45, e vlefshme për javën e 10-të në Kategorinë Superiore, përpara mediave ka folur edhe futbollisti i Tiranës, Marsel Ismajlgeci, i cili ka analizuar këtë duel:

Maksimumi për ndeshjen – “Nuk kemi çfarë të tregojmë më që të bëjmë diçka ndryshe. Do të bëjmë lojën tonë dhe do japim maksimumin”

Disfata ndaj Kukësit – “Ndikoi lodhja nga kupa dhe ata ishin më të fokusuar se ne”

Gjendja fizike – “I kam kaluar të gjitha problemet edhe me COVID-19 dhe jam gati”

Rivalët – “Po t’i marrësh të gjitha ekipet janë kundërshtarë të fortë. Ne mundohemi t’i marrim të gjitha ekipet seriozisht dhe të japim maksimumin”, përfundoi Ismajlgeci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb