Heronjtë e vërtetë

SipaOra ka kaluar 13:00 pas mesditës së shtunë dhe doktori radiolog, Renato Osmanaj sapo ka lënë Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, por telefoni nuk i pushon së rëni.

Në aplikacionin ‘WhatsApp’ i vijnë papushim imazhe skaneri të mushkërive të pacientëve të dyshuar me COVID-19. Teksa i shikon me vëmendje mushkëritë, ai merr nga sedilja e pasme e makinës një gjysmë sanduiçi që i ka mbetur pa ngrënë nga mëngjesi.

“Këto janë ditë të pazakonta, ka aq shumë fluks sa nuk kemi kohë as të hamë,” thotë Osmanaj, i cili shpjegon se për lehtësi është krijuar një grup i përbashkët në ‘WhatsApp’ me radiologë nga i gjithë vendi.

Një pacient dyshohet se mund të jetë i infektuar me COVID-19 dhe mjekët po përpiqen të vendosin diagnozën e saktë. Fatkeqësisht, doktor Renato e konfirmon diagnozën, ndërsa më tregon skanerin e pacientit që i kanë dërguar kolegët.

“Nuk kemi parë më parë si kjo sëmundje, sillet shumë tinzare, shiko se çfarë i bën mushkërisë,” thotë ai, ndërsa tregon njollat e bardha që kanë pushtuar të gjithë mushkërinë.

Të vendosur në vijën e parë të frontit kundër pandemisë, mjekët dhe infermierët po bëjnë një luftë të dyfishtë – ndërsa përpiqen të shpëtojnë jetët e pacientëve të prekur nga virusi ata janë izoluar nga familjet e tyre për t’i mbrojtur nga një infektim i mundshëm nga COVID-19.

Një pjesë kanë marrë shtëpi me qira, si e vetmja mënyrë për të ruajtur familjarët nëse infektohen, ndërsa të tjerë jetojnë të ndarë brenda shtëpisë, pa mundur prej javësh të përqafojnë fëmijët.

“Unë nuk kam frikë për vete, por për familjen po,” thotë Osmanaj. Ai ka zgjedhur të qëndrojë në një hotel për të mbrojtur familjen, ndonëse për shkak të punës rraskapitëse në spitalin Infektiv i qëllon të flejë vetëm 4 orë në ditë.

“I dua shumë fëmijët, por do të pres t’i përqafoj kur të ketë mbaruar kjo betejë,” tha ai. “I përshëndes nga ballkoni, por po qëndroj larg tyre. Është e vështirë shumë,” pranon doktori.s Institutit të Shëndetit Publik, 32 bluza të bardha rezultojnë deri më tani të infektuara me COVID-19, ndërsa gjashtë prej tyre janë shëruar tashmë. Mjekët dhe infermierët e infektuar përbëjnë rreth 12% të numrit total të të prekurve në vend.

Modest, Renato Osmanaj këmbëngul se në fakt heronjtë e vërtetë të kësaj lufte që ka pështjelluar mbarë botën nuk janë mjekët, por infermierët, të cilat sipas tij janë në vijën e parë dhe mjekët vijnë pas tyre.

“Ata i presin të sëmurët, ata i ushqejnë, ata u flasin përmes aparaturave, ndaj unë them se ata janë heronjtë e vërtetë të kësaj beteje,” tha Osmanaj, duke shtuar se infermierët janë “të mrekullueshëm.”

“Ai mban maskë edhe në shtëpi dhe qëndron i izoluar në një dhomë më vete,” shpjegoi Erjona. “Sigurisht që nuk është aspak e lehtë për vajzat, megjithëse ne i kishim përgatitur që më parë…por sërish është vështirë,” shtoi ajo.

Shehu thotë se kanë shmangur kontaktet me familjen e saj, por ndërkohë kanë bërë gati një banesë, në rast infektimi.

“Për ne mjekët nuk është e vështirë, pastaj Arjani ka kaluar edhe epidemi të tjera, por gjithsesi unë kam bërë gati shtëpinë e prindërve të mi,’ tregoi ajo. “Në rast se ai infektohet, të ketë një vend ku të qëndrojë në karantinë,” shtoi Erjona, e cila pohon se puna për t’ju shpjeguar dy vajzave situatën, ka qenë edhe pjesa më delikate.

Frikë dhe kujdes

Pas 10 vitesh pune si infermier në QSUT, Elson Jacaj e ushtron aktualisht detyrën pranë urgjencës “Emergency Response Albania” –ai është njëkohësisht edhe kreu i shoqatës së infermierëve të Shqipërisë. Jacaj ka marrë një shtëpi me qira së bashku me dy shokë të tij, për të mbrojtur djalin 6-vjeç dhe vajzën 6-muajshe.

“Vajza lindi në kohën e tërmetit dhe njëherë na ndau tërmeti, tani koronavirusi,” tha ai, duke shtuar se nuk ka qëndruar shumë me vajzën dhe kjo e trishton shumë. “Tani u bënë dy javë që nuk e shoh, përveçse në ‘videocall’,” shtoi Jacaj.

Ndryshe nga shumë kolegë, Jacaj pranon se ky është një moment mjaft i vështirë për infermierët, pasi ata janë të parët që përballen me çdo rast të prekur nga COVID-19. Jacaj tregon se shumë infermierë janë të frikësuar edhe nga pakujdesia e pacientëve – disa nuk kanë treguar të vërtetën në lidhje me sëmundjen –dhe se mund të bëhen burim infeksioni për pacientet e tjerë, e sidomos për familjarët dhe fëmijët e tyre në shtëpi.

“Sfida jonë është të jemi të kujdesshëm e të ruajmë veten në mënyrë që të ruajmë familjarët tanë,” tha ai. “Nëse nuk po kujdesemi dot për ta këto ditë, të paktën të mos bëhemi burim për t’i infektuar ata,” shtoi Jacaj.

Ai shpjegon se është pikërisht kjo arsyeja, që këto ditë të vështira, ai ka zgjedhur që së bashku me disa kolegë të tjerë, të marrin një shtëpi me qira e të qëndrojnë aty deri sa të kalojë kjo situatë, si mënyra më e sigurt për të mos infektuar familjarët.

“Nuk po i përqafojmë dot fëmijët nga frika se ndoshta jemi të prekur dhe i infektojmë dhe ata,” tha ai. “Dhe kjo është një dhimbje që po e përjetojmë vetëm ne, bluzat e bardha, e që na lëndon aq shumë,” shtoi Jacaj.

Të gjithë të rrezikuar njëlloj

Kreu i shoqatës së Infermierëve, Elson Jacaj thotë se i vijnë çdo ditë qindra mesazhe nga kolegët nëpër rrethe, që sipas tij janë harruar nga qeveria dhe kanë mungesa të mjeteve mbrojtëse kundër virusit.

“Mund të them që rrethet janë të harruara fare, e sidomos qendrat shëndetësore kanë mungesë të theksuar të maskave dhe dorezave, për të mos thënë për materiale të tjera,” tha ai.

Përtej deklaratës së kryeministrit për shpërblim të bluzave të bardha, Jacaj e konsideron të padrejtë faktin që shpërblim do të marrin vetëm infermierët që u shërbejnë të sëmurëve me COVID-19.

“Është turp që shpërblim të marrin vetëm stafi i Infektivit, pasi i rrezikuar është i gjithë personeli, si ai që punon në Infektiv, ashtu edhe infermieri që punon në një qendër shëndetësore në një fshat të humbur,” tha ai, duke nënvizuar se edhe infermierët e spitalit të Lezhës që u infektuan me COVID-19 në punë, nuk do të shpërblehen.

“Është e njëjta situatë kudo dhe të gjithë janë të ekspozuar ndaj rrezikut njësoj,” shtoi Jacaj.

Sipas tij, tani që janë ndaluar vizitat në spital, i gjithë personeli shëndetësor është njësoj i rrezikuar.

“Nëse u kërkon të jenë në gatishmëri, nëse u kërkon që edhe ditët e pushimit të vijnë në punë për të bërë trajnime si të veshin veshjet speciale, si të sillen në këtë situatë, atëherë ligji për shpërblimet duhet të jetë për të gjithë,” përfundoi Jacaj.

Në karantinë brenda familjes

Ankthi dhe karantinimi për shumicën e stafit të Ortopedisë në spitalin e Lezhës mori fund shumë shpejt. Tamponët rezultuan negativë për stafin prej 25 vetash, por kanë rezultuar pozitivë për një infermiere dhe një sanitare.

Drejtori i këtij spitali, Leon Kaza thotë se ata nuk janë “imunë as ndaj sëmundjes dhe as ndaj frikës”.

“Duke qenë në kontakt me raste të dyshimta, në barrierën e parë të frontit me të padukshmen, mundësia e infektimit të personelit shëndetësor është e lartë dhe për më tepër, personeli mund të shërbejë pastaj si një vektor i rëndësishëm transmetimi për pacientët dhe familjarët,” tha ai, duke sthuar se kjo “është në fakt edhe frika jonë më e madhe”.

Kaza shpjegon se frika se mund të rrezikojnë pa e ditur pacientët dhe familjarët i ka bërë mjekët e spitalit të jenë shumë të kujdesshëm, duke zbatuar masa strikte të distancimit social brenda familjes.

“Të të gërryejë dëshira për të përqafuar fëmijët, por të përmbahesh nga frika se mund t’i dëmtosh me një përqafim, është një ndjesi ndaj të cilës asnjë kurikul profesionale nuk na ka mësuar,” tha ai.

“Po modifikohemi ngadalë, ashtu siç e gjithë shoqëria do dalë e modifikuar nga kjo betejë në fund,” theksoi kreu i spitalit të Lezhës, i cili shtoi se “përtej ankthit fillestar, në pah del gjithmonë e më tepër motivimi dhe dëshira për të kryer detyrën.”

Rreziku nga infektimi

Duke qenë në linjën e parë të luftës me këtë virus të ri, bluzat e bardha janë edhe më të rrezikuarit. Përfaqësuesja e ISHP-së, Silva Bino deklaroi të mërkurën se 32 mjekë, infermierë dhe sanitarë rezultojnë deri tani të prekur nga COVID-19.

Aktualisht rezultojnë të infektuar katër mjekë dhe katër infermierë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”, një mjek në spitalin e Durrësit, një mjeke në Korçë, një infermiere dhe një sanitare në spitalin e Lezhës dhe një infermiere në një qendër shëndetësore në Lezhë.

Po ashtu kanë rezultuar pozitivë edhe tre anëtarë të Task-Forcës për luftën ndaj koronavirusit, mes së cilëve edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Ndërsa rasti i fundit ishte mjeku Dhimitër Kraja, i cili iu bashkua nga pensioni stafit të Infektivit në luftën kundër koronavirusit.

Një pacient i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” infektoi me COVID -19 plot 11 persona, midis të cilëve edhe 8 mjekë dhe infermierë të këtij spitali. Bashkëshorti i Ergës, infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ishte njëri prej tyre. Edhe pse bashkëshorti nuk ka shfaqur simptoma të sëmundjes, ai ka rezultuar pozitiv dhe u frikësua se mos kishte infektuar familjarët.

“Ne jetojmë afër familjarëve të bashkëshortit dhe shkëputëm çdo marrëdhënie me të, u izoluam për dy javë dhe tani tamponi doli negativ,” tha Erga.

“Unë, pavarësisht se i kam qëndruar pranë, nuk u infektova fare,” shtoi ajo, ndërsa tregon se do të qëndrojnë edhe dy javë në karantinë dhe do t’i rikthehen punës.

Në mision përtej Adriatikut

Korab Gjana është pjesë e ekipit prej 30 mjekësh dhe infermierësh që fluturuan të shtunën drejt Italisë, për të ndihmuar në kapërcimin e situatës së vështirë shëndetësore të krijuar nga COVID-19 në vendin fqinj. Infermier në kirurgjinë e QSUT-së, Gjana thotë se nuk e mendoi dy herë pasi mori ftesën për t’iu bashkuar misionit përtej Adriatikut.

“Të jesh mjek apo infermier është mision për të shpëtuar jetë kudo, pavarësisht ngjyrës apo kombësisë,” tha ai. “Pastaj unë e ndjeja si detyrë edhe për faktin se në Itali ka shumë shqiptarë, e shpresoj që sadopak t’u vijmë në ndihmë,” shtoi Gjana.

Ai rrëfen se pasi kanë marrë udhëzimet e para, do të shpërndahen nëpër pavione, krah kolegëve të tyre italianë në spitalin e Breshias.

“Sot bëmë mbledhje me shefat e spitalit civil në Breshia dhe morëm direktivat sesi do të organizohemi në vazhdimësi, duke parë dhe eksperiencat personale të gjithësecilit,” shpjegoi ai.

“Nga nesër do të jemi nëpër pavione dhe besoj kjo do të jetë një eksperiencë e vyer,” shtoi Gjana.

Infermieri thotë se familjarët e tij nuk ishin dakord me vendimin, pasi kishin frikë dhe merak.

“Të mërzitur kam lënë vetëm mamin dhe vëllain,” tha ai. “ Kanë merak, frikë, por jam i bindur se do të më mirëkuptojnë një ditë,” tha Gjana.

Kohë e çmuar kundër virusit

Renato Osmanaj kontrollon gjatë gjithë bisedës imazhe skaneri që i vijnë në telefon, ndërsa nuk i kursen vlerësimet edhe për kolegët e tij në spitalin Infektiv, duke veçuar lidershipin e profesoreshë Najada Çomos dhe kontributin e profesor Dhimitër Krajës, cili është rikthyer në spital nga pensioni për të luftuar virusin.

“Doktoreshë Najada po e administron situatën me një zotësi për t’u pasur zili,” tha Osmanaj, duke vlerësuar eksperiencën e saj dhe punën e palodhur në ndihmë të pacientëve.

“Profesor Luli është një pasuri kombëtare, i çmuar në çdo këshillë apo sugjerim që na jep dhe pavarësisht se ka disa vite që ka dalë në pension, qëndron 8 orë çdo ditë në infektiv,” theksoi ai, duke shtuar se të dy “janë krenari.”

Por duket se rreziku i infektimit është tashmë real edhe për vetë stafin e Infektivit. Gjatë mbrëmjes së martë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se prof. Dhimitër Kraja, që iu ribashkua stafit të Infektivit [shërbim të cilin e ka drejtuar për disa vite, para se të dilte në pension] është infektuar nga COVID-19.

“Pesha e viteve nuk e pengoi prof. Dhimitër Krajën për t’u rikthyer në spitalin Infektiv, aty ku ka kaluar 48 vite të jetës së tij, për t’i dhënë një dorë stafit të palodhur të këtij spitali në këto ditë të vështira. I rrallë e modest si pakkush, dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, po përballet vetë në këto momente me sëmundjen që aq shumë donte ta luftonte!

Gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi,” shkroi Manastirliu në Facebook krahas fotos së profesor Krajës.

Megjithë kapacitetet e kufizuara të sistemit shëndetësor, Osmanaj thotë se deri tani po përballohet më së miri, por mjekëve dhe infermierëve u duhet kohë për zbutur kurbën e përhapjes së pandemisë.

“Na duhet kohë, na duhet që njerëzit të mos vijnë të gjithë përnjëherë në spital, sepse kjo sëmundje ka edhe një të keqe, që një person qëndron shumë ditë në spital, ndaj këmbëngulim tek koha,” thotë ai. “Nëse ndodh kjo, e kemi fituar betejën,” përfundon Osmanaj./Birn

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb