Ka pasur sërish debate në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Deputetët e mazhorancës, kanë pretenduar se deputetët e opozitës, nuk po respektojnë Kushtetutën në pyetjet që po i drejtohen dëshmitarëve të thërritur. Deputeti i PS, Fadil Nasufi tha se dëshmitarët nuk po trajtohen në koherencë me ligjin. Nga ana tjetër, deputeti Belind Këlliçi tha se po zbatohen të gjitha rregullat e duhura, por pretendoi se mazhoranca ka frikë nga faktet dhe dokumentet e publikuara.

Sakaq, mazhoranca kërkoi pushim për t’u konsultuar me këshilltarin e saj ligjor për këtë cështje. Në këtë moment ka reaguar kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku që theksoi se nuk mund të marrin opinione nga Plarent Ndreca që është i përfshirë sipas saj në këtë aferë.

Pjesë nga debati:

Nasufi: Pse ndërhyn moj zonjë, ku e din ti, pse ndërhyn. Ne kemi vullnetin e përbashkët për të kryer funksionin e këtij komisioni, por ky është qëndrim ligjor, e jo marrëveshje, për të mos cënuar hetimin, procesin. Nuk duhet të marrim në pyetje dëshmitarë të tillë. Jini në koherencë me ligjin. Jemi njerëz, ka ngarkesa emocionale, por jemi në zbatim të ligjit dhe kërkojmë që gjithkush që i shërben hetimit të dëshmojë në përputhje me Kushtetutën. Në rastin konkret po bëjmë shkelje ne. Ky është mendimi im.

Këlliçi: Zonja që kur erdhi u trajtua me etikë. Pati një moment që s’e përmendëm fare. Vetëm një anëtar komisioni ka bërë pyetje. Zonja doli jashtë, u sqarua dhe nuk e kuptoj se përse ishte e nevojshme ndërhyrja. Zonja tha që është thërritur në cilësinë e dëshmitares. Mesa kuptoj, duke e lidhur me rastin e djeshëm, ju keni problem se dalin dokumente. Ne kemi dokumentet të gjitha dhe ato do të bëhen publike. Pse kërkoni të ndërpritet komisioni, ku ndërkohë i qani hallin SPAK, ku ndërkohë SPAK edhe sot nuk na ka sjellë asnjë shkresë, asnjë ankesë. Ti që je gazetar dhe që e mora vesh dje, ti ke dalë tani jurist dhe më i aftë se SPAK. Për aq kohë sa SPAK s’ka asnjë ankesë, pse keni ju? Dita ditës po dalin shkresa dhe prova, kaq. Zonja po jep përgjigjet e saj, kaq e thjeshtë është.

Denaj: Jam e keqardhur për këtë diskutim. Mbi të gjitha dua t’i kthehem diskutimit përpara momentin që shkuam për pushim. Nuk e kuptoj ku diferencohen trajtimi i sotëm me trajtimin e djeshëm, pasi dje ishin të gjithë në grup sot janë individual. Kjo është diferencë. Dje në grupin prej 5 vetash jo të gjithë ishin të akuzuar. Unë s’jam juriste. Pse sot ka një trajtim ndryshe nga i djeshmi? Kërkova arsye juridike dhe kjo ende s’është dhënë.

Tabaku: Këshilltari juaj juridik nuk duhet të jetë etalon mbështetës, sepse ka qenë i përfshirë në aferë. Sd’o të më thotë Plarent Ndreca mua këshillimet. Janë firmat këtu.

Pëllumbi: Mos kaloni në çështje personale.

Tabaku: Ju lutem, ne vazhduam dëshminë e zonjës dhe ju u reaguat pas telefonatës. Ju kam kërkuar të mos bëheni mburojë politike.

Gështenja: Më vjen keq për këtë zallamahi që po bëjmë dje e sot. Ne si komision përpara se të dnërtojmë listën e dëshmitarëve, ne i kemi dërguar shkresë zyrtare drejtuesit të SPAK dhe kemi marrë përgjigje e cila thotë: Pretendimet penale që ne kemi kërkuar dhe nëse janë në ndjekje penale ndodhen në fazën e hetimeve paraprake. Veprimtaria hetimore ndaj tyre është duke u zhvilluar. Nuk kemi përgjigje. Askush nga ne nuk duhet të bëjë avokatin. A duhet t’i shkojmë hetimit deri në fund? Hajde të vazhdojmë. Të mos bëjmë të njëjtin gabim si dje. A kërkoni standarde? Pse duhet të kemi 2 standarde? Ramën (gazetar) s’e dëgjuam se është në konflikt, ndërsa të tjerëve nuk i treguam fytyrat. Ne duhet t’i pyesim për gjërat që kanë firmosur. Ne do i pyesim ata të përgjigjen. Komisioni i djeshëm s’kishte lidhje fare me Fierin e Tiranës, ata duhet të përgjigjeni dje.

Shalsi: Jemi në një ngërç. Ka një diçka. Askush nga ne nuk ka marrë përsipër të mbrojë askënd që ka shkelur ligjin dhe kushdo që ka pasur këtë kurajo do të përballet me ligjin. Kemi një ngërç i cili mua të paktën dhe kolegëve tonë mund të na nxjerri një ekspert. Ju përmendët këshilltarin tonë, që janë të njëanshëm. Njëri është kandidat për deputet, a është e mundur se flasim e bindemi nëse ju do të na mundësoni emra me reputacion të gjithëpranuar, të na shpjegojnë se unë personalisht nuk kam problem që personat që vijnë këtu të dëshmojnë, madje do i inkurajoja sepse s’duam të mbajmë një barrë që s’jemi përgjegjës. Kush ka shkelur ligjin të përgjigjet. A është ligjore a kushtetuese kjo që po bëjmë? Jemi të interesuar për të hedhur dritë. Cilido që ka shkelur ligjin, të përgjigjet. A do të mundemi të marrim një person që është thirrur nga SPAK, që mos të japë deklarata pavarësisht institucioneve. Na sqaroni pak, me një ekspertët të gjithë pranuar nga ju dhe ne, që të na japin një opinion. Unë shoh disa nga dëshmitarët, dhe them se si unë të bëhen pjesë e këtij komisioni. Unë kërkoj që të gjejmë dy ekspertë, t’i paguaj Kuvendi dhe të japin verdiktin e tyre.

Tabaku: Ju e patë që këtu provat dhe faktet janë të forta. I kërkoj stafit të Kuvendit që të bëjë 10 minuta pushim dhe të na nxjerrin dosjen e 21 janarit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb