Askush nuk e ka pranuar ndonjëherë vrasjen. Ata kanë fajësuar njëri-tjetrin, por për gjykatën e apelit, e gjithë familja është përgjegjëse për vrasjen e Saman Abbasit.

Katër vjet pas vdekjes së vajzës pakistaneze nga Novellara, Gjykata e Apelit në Bolonjë, duke përmbysur pjesërisht vendimin e shkallës së parë dhe duke pranuar akuzat e prokurorisë, ka konfirmuar burgimin e përjetshëm për prindërit e saj, Shabbar Abbas dhe Nazia Shaheen. Burg i përjetshëm është dhënë edhe për dy kushërinjtë, Noman Ulhaq dhe Ikram Ijaz, të cilët më parë ishin shpallur të pafajshëm dhe liruar. Ndërkohë, xhaxhai Danish Hasnain, i cili tregoi vendndodhjen e trupit, u dënua me 22 vjet burg.

Gjykata njohu edhe rrethanat rënduese të paramendimit dhe të motiveve të dobëta, të cilat nuk ishin marrë parasysh nga gjykata e Reggio Emilias.

Pas rreth tre orësh diskutimesh, trupi gjykues lexoi vendimin në një sallë të mbushur me gazetarë, fotografë dhe kameramanë. Leximi i vendimit u prit në heshtje. Pak para shpalljes, rreth dhjetë gra – avokate të palëve civile, qytetare të thjeshta dhe ish-kryetarja e bashkisë së Novellaras, Elena Carletti – mbanin një pankartë në gjuhën urdu që shkruante: “Nëse nesër më ndodh mua, dua të jem e fundit.” Ishte një mesazh simbolik nga shoqëria civile për një vajzë që ishte braktisur nga të gjithë – e gjallë dhe e vdekur.

Historia e Samanit fillon në Mandi Bahauddin, Pakistan, më 18 dhjetor 2002. Ajo mbërriti në Itali në vitin 2016, por e përfundoi jetën pranë shtëpisë ku jetonte dhe nga e cila kërkonte të arratisej. Në rrjetet sociale e quante veten Italiangirl, nuk i pranonte rregullat dhe traditat e prejardhjes së saj. Donte një jetë të lirë, të vetën, pa martesë të rregulluar. Pa dashur, ajo u bë simbol i rebelimit të heshtur.

Sipas prokurorit Gaetano Paci, që udhëhoqi akuzën në shkallën e parë, ajo donte të jetonte pa shami, pa kufizime, dhe të frekuentonte kë të dëshironte. Këto ëndrra u ndërprenë përgjithmonë në një natë pranvere, mes 30 prillit dhe 1 majit 2021, kur ajo u vra, ndoshta u mbyt, përpara shtëpisë dhe u varros në një gropë tre metra të thellë, në një ndërtesë të rrënuar, vetëm pak qindra metra larg banesës familjare.

Trupi u gjet në nëntor të vitit pasardhës, në një ditë të zymtë vjeshte, falë xhaxhait Danish Hasnain, personi që vëllai i Samanit e kishte treguar si autorin e krimit, por që gjithmonë ka mohuar përfshirjen e tij. Danish ishte arrestuar në Francë në shtator 2021. Para tij ishte arrestuar kushëriri Ikram Ijaz, po ashtu në Francë, ndërsa i fundit ishte Noman Ulhaq, arrestuar në Spanjë.

Babai i Samanit, Shabbar Abbas, u arrestua në Pakistan pak para se të gjendej trupi, ndërsa nëna, Nazia, u arrestua në maj 2024. Të dy janë ekstraduar, një ngjarje historike, pasi Pakistani nuk kishte dorëzuar kurrë më parë shtetasit e vet të kërkuar nga drejtësia italiane.

Shabbar mbërriti në Itali gjatë procesit të shkallës së parë, ndërsa Nazia në fund të gushtit 2024, kur ajo tashmë ishte dënuar me burg të përjetshëm. Në sallën e gjyqit, ata qanë, mohuan gjithçka, fajësuan të tjerët dhe kundërshtuan deklaratat e djalit të tyre tjetër, vëllait të vogël të Samanit, i cili për akuzën ishte një dëshmitar kyç. Megjithatë, prokurorja Silvia Marzocchi deklaroi se edhe pa dëshminë e tij, provat ishin të mjaftueshme.

Nëna e Samanit, Nazia, qëndroi për një kohë të gjatë me kokë ulur, duke dëgjuar përkthyesin. Pak reagime nga babai dhe xhaxhai. Dy kushërinjtë dolën shpejt nga salla dhe qëndruan jashtë me avokatët e tyre. Ata janë ende të lirë për momentin.

Hetuesit besojnë se të afërmit e kurdisën komplotin pasi 18-vjeçarja Saman refuzoi të martohej me një kushëri në Pakistan sepse ajo kishte një të dashur në Itali dhe donte të jetonte një mënyrë jetese ‘perëndimore’.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb