TIRANE– Kur pritet që ai të kalojë për miratim në Kuvend, projektligjit për ndërtimin e Teatrit të ri i janë shtuar edhe pika të tjera, që përbëjnë në thelb edhe marrëveshjen e artistëve me Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për dy nga propozimet e tyre, të cilat i prezantoi si amendamente edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Pika e parë e propozuar dhe e përfshirë në ligj është ajo që ka të bëjë me truallin e teatrit ekzistues, i cili nuk do të preket as pas ndërtimit të Teatrit të Ri.

Konkretisht në nenin 4 thuhet: “Pronat në pronësi shtet dhe statusi i tyre
Në dispozicion të zhvillimit të projektit vihen pasuritë e paluajtshme në pronësi shtet, sipas parashikimeve të këtij ligji, Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme.
Sipërfaqja që përbën pronën e Teatrit Kombëtar do të jetë po ajo edhe pas përfundimit të ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar”.

Pika e dytë e përfshirë në këtë ligj lidhet me nenin 5/ pika 3, në të cilin caktohet qartë se: “Komuniteti i aktorëve teatrorë përfaqësohet në komisionin e negociimit me jo më shumë se dy përfaqësues, të përzgjedhur nga vetë ata”. Mes pikave që i është bashkuar këtij projektligji është dhe ajo që lidhet me faktin se nuk do të cënohet trualli i teatrit.

Kujtojmë se dje kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se kishte arritur marrëveshje me disa përfaqësues të artistëve, duke rënë kështu dakord pas debatit për shembjen e teatrit. Veliaj tha se me artistët ishte rënë dakord për një ndërtesë të re, në të njëjtën hapësirë të godinës ekzistuese, por pa kullë sipër.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: