Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dha një mesazh prekës për ish-Presidentin Bujar Nishani, teksa ishte i pranishëm në homazhet e organizuara sot në Presidencë.

Në mesazhin e tij ngushëllues, Balla u shpreh se “Nuk qe e shkruar që Bujari t’ia kalonte edhe njëherë një beteje për jetën”.

“Bashkë me kolegë, ministra e deputetë, kemi qenë sot në Presidencë për të dhënë lamtumirën e fundit një shtetari të respektuar si Bujar Nishani. Unë kam pasur mundësinë të punojmë së bashku edhe si kundërshtarë politikë në Kuvend, jemi zgjedhur të dy njëkohësisht më 2005. Do ruaj gjithmonë respektin për Bujar Nishanin si kundërshtar, por natyrshëm edhe si një personalitet i respektuar, që erdhi nga fusha ushtarake, por që diti të tregojë disa herë me radhë respektin ndaj kushtetutës dhe institucioneve të vendit.

Gjatë ushtrimit të tij të detyrës si President, Nishani pati momentet e duhura kur tregoi respektin ndaj Kushtetutës dhe institucioneve. I shpreh, bashkë me kolegët e mi të PS, ngushëllimet më të sinqerta. Nuk qe e shkruar që Bujari t’ia kalonte edhe njëherë një beteje për jetën, por vlerësimi mbetet maksimal”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb