Policia e Kosovës ka ndaluar 20 persona, të cilët akuzohen se nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet, që kanë për qëllim luftimin e koronavirusit. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në Komunën e Pejës është numri më i madh i të ndaluarve, përkatësisht 11 persona, pasuar nga komuna e Mitrovicës së jugut me 3 persona.

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi. Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Ndërkohë, në fazën e dytë e cila pritet të nisë nga 18 maji, qytetarët kanë të drejtë të dalin dy herë nga dy orë në ditë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim. Kujtojmë se numri total i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 955, ndërsa 29 persona kanë humbur jetën.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb