TIRANË

Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka bërë një analizë të situatës ekonomike në vend dhe vendimeve të qeverisë shqiptare, e cila së fundmi kaloi në parlament ligjin për marrjen e Eurobondit 700 milionë euro.

Malaj tha në “Frontline” në News24 se është e vështirë të mendojmë se viti 2022 do jetë një vit në të cilin ne mendojmë se po kthehemi në normalitet. Ai theksoi se gjatë fjalës së ministres në Kuvend pa se kishte më shumë një kujdes që t’i fshihnin gjërat se sa t’i sqaronin gjërat.

Sipas tij, nuk shërohet populli duke i mashtruar, duke ia bërë shesh me lule duke pyetur se si ka mundësi dalin të gjithë ministrat thonë vit i vështirë, borxhi në rritje, do ulim borxhin dhe premtojnë për çdo gjë do ketë rritje?

“Nëse themi se në 2021 rritja është 7.2% dhe në 2022 bie në 4%, rritja 4% është e vështirë për vendet si Shqipëria që të përballojë problemet që ka ulja e papunësisë dhe po të shikosh nivelet e uljes së papunësisë dhe të varfërisë janë simbolike. Po të kemi parasysh se buxheti teorik realizohet 80%, kur realizohen shpenzimet ato realizohen në fund të vitit, thjesht për të qenë në rregull me buxhetin, gjatë 10 muajve të vitit ne nuk e ndiejmë impaktin multiplikator që hedhim lekë, hapim më shumë punë dhe marrin më shumë lekë njerëzit. Kështu që është e vështirë të mendojmë se viti 2022 do jetë një vit në të cilin ne mendojmë se po kthehemi në normalitet. Problemet e rritjes ekonomike që unë pashë në raportin e BB sepse fjala që kishte mbajtur ministrja në Kuvend dhe projektbuxheti me terma të përgjithshëm kishte më shumë një kujdesje që t’i fshihnin gjërat se sa t’i sqaronin gjërat. Po marrim të ardhurat. Puna është se për 100 lekë sa lekë mbledhim.
Nga të gjitha parashikimet, për 4 vite rresht, Shqipëria në raport me 100 lekë prodhim, mbledh 27, vendet nordike mbledhin deri 45, vendet e tjera 40-42. Ne mbledhim pak, për shkak të strukturës, për shkak të tranzicionit të shkurtër, për shkak se s’kemi të ardhura nga trashëgimitë, për shkak se s’kemi të ardhura nga pronat e patundshme se ka vite kadastra fiskale nuk funksionon. kadastra e tokës hidhen miliona dollarë nga të gjithë donatorët dhe prapë është një problem më vete. Duke mbledh kaq pak duhet të kemi kujdes se si do t’i menaxhojmë. Rregulli i artë në financa është që me më pak para të japësh më shumë produkt. Por t’i përdorësh deficitin dhe borxhin…të ardhurat njëherë nuk kanë rritje, gati rritja është simbolike dhe kjo do të thotë që përgjegjësia për të ulur borxhin do mbetet në krahun e shpenzimeve, jo në krahun e të ardhurave”, deklaroi Malaj.

Ai tha se mund të merren para borxh kur ka krizë, por për çfarë merren, nëse nuk hidhen në projekte që nuk mbarojnë dhe nuk konkretizohen në ekonomi, ky borxh bëhet më i rëndë.

“Gjithë debati që bëhet në Bankën Botërore dhe në Uashington është që duhen reforma strukturore dhe jo thjesht hedhje të lekëve. Shqipëria ka nevojë të investojë më shumë për infrastrukturën dixhitale se sa rrugore. Vazhdojnë projekte në rrugë që nuk mbarojnë. Vazhdojnë projekte që nisin me 200-300 milionë dhe pastaj ndryshohen. Qeveria është e fokusuar thjesht tek investimet fizike, të cilat duke u zgjatur iu rritet kostoja. Vetë studimi i FMN-së thotë, në vendet me institucione të dobëta, 33% e shumës së investimeve që hidhen në ekonomi keqpërdoren në trajtë mungesë eficence, në trajtë korrupsioni dhe PPP preferenciale dhe oligarkike. Përqendrimi i parasë në pak duar qarkullon më ngadalë në ekonomi se sa paraja që iu jepet të varfërve. Dhe po të shikoni këshilla e parë që dha BB dhe FMN-ja është ndërtoni skemë për t’iu gjendur të varfërve, që të mos iu mungojnë dritat, mos t’iu mungojë uji, mos t’iu mungojë ushqimi bazë ose tani që do goditet. Në qoftë se inflacioni do shkojë 4%, mesatarisht inflacioni ushqimor për ata që harxhojnë 80% të shumë së tyre për ushqim, për drita, për ujë, deri në mes të vitit tjetër janë të larta. Nga ana tjetër kryeministri thotë do hedhim satelitë në orbitë, iu ka vënë dhe emrat madje. Atëherë ku është kredibiliteti. Arti i komunikimit në politikat publike është i rëndësishëm, njësoj si në mjekësi. Nuk shërohet populli duke i mashtruar, duke ia bërë shesh me lule. Si ka mundësi dalin të gjithë ministrat thonë vit i vështirë, borxhi në rritje, do ulim borxhin dhe premtojnë për çdo gjë do ketë rritje. Ato shifrat ne themi ‘politikanët i përdorin statistikat si i dehuri shtyllën elektrike, jo për të parë rrugën, por për t’u mbajtur”, deklaroi ai.

Sa vite do iu duhen qytetarëve shqiptarë të shlyejnë të gjitha këto investime?
“Për projektin e rrugës Milot-Fier me vlerë 178 mld e 200 mln lekë- qeveria shqiptare ka dështuar që të përfitojë para nga projekte të BE-së që thonë..se kjo është pjesë e Korridorit Blu që kap disa shtete, nga Mali i Zi deri në Itali, duhet të ishte me financimin e BE-së. Parimi bazë i tyre është të lehtësojë ekonominë shqiptare, të lidhet me akset rrugore rajonale, europiane dhe globale dhe në qoftë se një projekt do të ishte i përbashkët Kroaci-Mal i Zi-Shqipëri ai do të financohej kryesisht nga projektet e BE-së. Përse s’e kemi? Duhet ta spostojmë këtë projekt. Gjithë infrastrukturën e varfëruar shqiptare ne do ta bëjmë me paratë e taksapaguesve shqiptarë kur dimë të gjitha vendet që kanë pasur këto probleme kanë pasur mbështetje nga Bankat Botërore, kushte më lehtësuese, kanë pasur mbështetje nga BE dhe Bankat e Zhvillimit dhe një pjesë mbetet nga tregu i kapitaleve. Këto para që merren me eurobond nga qeveria shqiptare, janë paratë më të kushtueshme në tërësinë e fondeve miks që duhet të ketë infrastruktura shqiptare.
Tek aeroporti i Sarandës s’ka asnjë konkurrues, pse e fut në projekt. Kur nuk ka interes sektori privat, që ai është i egër për të gjetur fitime dhe nuk merr pjesë asnjëri, për çfarë i duhet Shqipërisë të ketë aeroport në Vlorë, aeroport në Sarandë? Përse i duhen? A do mësojmë ne nga tërmeti? Për të ardhur në turizmi, shqiptar, për të ardhur nga Korfuzi në Sarandë e di sa i lehtë është transporti. Përse duhet të zgjedhë ai një aeroport që duke qenë më i vogël duhet t’i ketë kostot më të mëdha dhe mos të zgjedhë një aeroport më të madh? Më thoni sa u përdor aeroporti i Kukësit. Si ka mundësi që Alitalia, kompanie një shteti të fuqishëm, falimenton dhe PPP-të shqiptare qenkan të suksesshme në një vend me 3 mln banorë. Kjo ka të bëjë me qeverisjen nën konceptin e të madhërishmes. Unë do bëj gjëra që s’i bën dot asnjëri tjetër. Do na ndodhë si me Lojërat Olimpike në Greqi që u harxhuan miliarda dhe ato pastaj as mirëmbaheshin dhe u kthyen nga një investim krenarie, në një investim të kushtueshëm”, tha Malaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: