TIRANË- Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka dalë sot para mediave ku ka numëruar një sërë akuzash në drejtim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nuk pranoi kërkesën për shkarkimin e 3 gjyqtarëve që kishte kërkuar kjo ministri. Gjonaj tha sot se KLD ka dështuar në llogaridhënien e gjyqtarëve.

Gjonaj (1)

Ajo ka numëruar shkeljet dhe dënoi mos shkarkimin e tre gjyqtarëve, Petraq Curri i Durrësit, Ergys Selmani i Fierit dhe Ken Dhima i Administratives së Vlorës, pavarësisht kërkesës nga ana e Ministrisë.

“Dje, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbajti mbledhjen e radhës ku u rrëzuan tre propozimet e mia, për shkarkimin e tre gjyqtarëve, të cilët nga raportet e inspektimit të Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë rezultonin me shkelje të rënda të ligjit, diskredituese per figurën dhe pozitën e gjyqtarit.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të gjykatës së Durrësit, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, la të lirë dhe mundësoi kështu arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kërkohej nga shteti italian për ekstradim.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar, i cili në mënyre diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, për shkak të mosarsyetimit tejet të dyshimtë të vendimit të urdhrit të mbrojtjes në kohë, solli humbjen tragjike të jetës së një gruaje prej duarve të bashkëshortit të saj, të ndjerës Liljana Ruka.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi të shkarkonte një gjyqtar të Gjykatës Administrative Vlorë, i cili në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, kishte plot 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë.
85 prej këtyre vendimeve janë arsyetuar përtej një afati pesëmujor nga data e shpalljes dhe disa prej tyre edhe pothuajse me një vit vonesë, duke cënuar rëndë interesat e qytetarëve të përfshirë në proceset e mbetura në dorën e këtij gjyqtari me veprime haptazi të papërgjegjshme.
Vendosa t’i ndaj këto informacione drejtpërdrejtë me publikun, bashkë me shprehjen e indinjatës sime qytetare e profesionale, për vendimmarrjen e pajustifikueshme të shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
E djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë Këshill, që nxori në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë!”, deklaroi Gjonaj.

Gjonaj (3)

Ministrja tha më tej se Këshilli i Lartë i Drejtësisë si një organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve, dhe eshte kthyer ne një strukture mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik.

“Një arsye më shumë për ta vazhduar me vendosmëri reformimin rrënjësor të sistemit aktual të drejtësisë dhe për t’u ndarë me thikën e operacionit të spastrimit të sistemit, nga kasta e korruptuar që e ka mbajtur atë peng për më shume se çerekshekulli!
Unë kam besim që me zbatimin pa kompromis të Reformës në Drejtësi, vendime si ato të djeshmet, do të mbeten pjesë e historisë së padenjë te nje sistemi, të cilit, po i vjen fundi dhe nuk do të përsëriten më në të ardhmen”, theksoi ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj (2)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb