Teksa Presidenti Jair Bolsonaro vazhdon të shmangë masat e bllokimit pavarësisht numrit në rritje të viktimave, Senati në Brazil do të nisë një hetim mbi menaxhimin e pandemisë.

Bolsonaro ka minimizuar kërcënimin e virusit ndërsa pretendon se ndikimi ekonomik për shkak të mbylljes do të dëmtojë brazilianët më shumë sesa COVID-19.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë Luis Roberto Barroso urdhëroi Senatin të krijojë një komision për të hetuar menaxhimin e pandemisë, pas kërkesave nga 32 të 81 senatorëve të Brazilit.

Brazili regjistroi të enjten mbi 4,200 viktima nga Covid-19 në 24 orë, duke çuar numrin e përgjithshëm në 345,000, i dyti pas Shteteve të Bashkuara. Presidenti i Senatit, Rodrigo Pacheco, tha se ai do të veprojë në përputhje me urdhrin por që hetimi mund të sabotojë përpjekjet për të luftuar pandeminë dhe të bëhet një “teatër politik që synon zgjedhjet e përgjithshme 2022”.

Hetimi do të vlerësojë veprimet e ish-ministrave të shëndetësisë Luiz Henrique Mandetta, Nelson Teich, gjeneralit të ushtrisë Eduardo Pazuello dhe ministrit aktual të shëndetësisë Marcelo Queiroga.

Disa pacientë me Covid-19 thuhet se vdiqën në Manaus, pas mungesës të oksigjenit në spitale në fillim të këtij viti. Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu të enjten se shtetet dhe bashkitë kanë fuqinë të ndalojnë tubimet fetare, një veprim që Bolsonaro e ka kundërshtuar vazhdimisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb