TIRANË- Prokurori Besnik Muçi ka reaguar pasi Komisioni i Ligjeve tha se nuk përmbushte kushtet për të qenë Kryeprokuror i Përkohshëm.

Nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Muçi tha për gazetarët se i plotëson të gjitha kushtet. Për sa i përket vjetërsisë si prokuror ai tha se kushti është 15 vjet si jurist.

“Unë i plotësoj të gjitha kriteret për kryeprokuror. Ku e kanë gjetur kushtin e 15 vjetëve prokuror? Kryeprokurori zgjidhet nga juristët e spikatur. Ligji parashikon 15 vite pune si jurist, jo si prokuror”, tha Muçi.

Në raportin e Komisionit të Ligjeve të lexuar nga deputeti Bledi Çuçi, i cili iu dorëzua parlamentit thuhej se “kandidati Besnik Muçi plotëson kushtet e kriterit ligjor për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë; përmbush kushtet ligjore për integritetin moral dhe profesional; po kështu edhe materialet nga ILDKPKI dhe Autoriteti i Dosjeve i përmbush kushtet por nuk përmbush kushtin e vjetërsisë në punë, pasi ka 14 vite punë si prokuror”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb