Në përfundim të supersidës të dielën në “Stamford Bridge” që përfundoi me fitoren e Chelsea-s, ra në sy se dy teknikët, Antonio Conte dhe Jose Mourinho i Manchester United nuk u takuan me njëri-tjetrin.

Dy teknikët në intervistat më pas nuk i kanë shpëtuar pyetjeve lidhur me këtë rast. Jose Mourinho drejtoi gishtin nga Conte.

“Conte u zhduk, kështu që unë shtrëngova duart me asistentët e tij. Është praktikisht e njëjta gjë. Mos donit që unë të shkoja dhe ta ndiqja në mes të fushës? Unë isha atje. Shtrëngova duart me njerëzit që ishin atje. Mendoj se njëri prej tyre ishte vëllai i tij, asistenti, kështu që mendoj se duke shtrënguar dorën e vëllait të tij dhe asistentëve të tjerë, ndiej se e bëra detyrën time. Unë nuk mund të vrapoj në fushë dhe ndjek Conte-n. Nuk mendoj se duhet të prisja. Nuk ka asnjë problem”, shpjegoi Mou në konferencë.

Ndërsa për trajnerin italian ky fakt është pa rëndësi për ndeshjen.

“Shtrëngimi i duarve nuk ishte i rëndësishëm. Ajo që ka rëndësi ishte që fituam ndeshjen. Respektin duhet ta kesh brenda fushe dhe jo jashtë saj. Në fund të ndeshjes shtrëngova duart me arbitrat dhe lojtarët e mi. I kemi shtrënguar duart së bashku dy herë. Mendoj se mjafton,”-deklaroi Conte.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb