Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur me “Foltoren”  ditën e sotme në Kamëz. Gjatë fjalës së tij ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përzgjedhur si maskë, makeupin e disa ministreve, për të cilat nuk i ka kursyer sulmet. Për ministren e Energjitikës, Belinda Balluku, Berisha thotë se ajo ka vjedhur përmes tenderave, ku si shembull sjell atë të Unazës.

Sipas ish-kryeministrit, Ministrja ka ndërruar disa herë tenderin dhe i ka rritur çmimet për realizimin e tyre.

“Foltorja është një mission i madh dhe ju jeni misionarë të mëdhenj. Sot Shqipëria qeveriset nga një grup i cili nga mëngjesi deri në darkë, nuk bën gjë tjetër veçse vjedh qytetarët shqiptarë. Edi Rama ka grupuar në qeverinë e mandatit të tij të tretë, hajdutët dhe hajdutet më profesioniste që ka pasur historia e Shqipërisë. Ai për të maskuar vjedhje monstruoze, ka përzgjedhur si maskë, makeupin e disa zonjave. Beqir Balluku ju garantoj se nuk ka vjedhur as 1/10 sa ka vjedhur mbesa e tij, e cila në mënyrën më kriminale nuk zbaton as ligj dhe as rregull por shpall tendera për unazën, dyfish i çmimit të Tunelit të Kërrabës. Anuloi tenderin dhe e shpall për së dyti me një çmim më të lartë. Janë me dhjetra raste si kjo. Merrni pak ministren e jashtme që ka dalë nga piramidat, sa ishte ministre e mbrojtjes, mori tokat e bregdetit që i kishte ushtria dhe ja dha akrabasë së saj. Mos të përmend fluturimet me helikopter. Edi Rama nuk i nxjerr dot në television ata, sepse në çdo fjalë u vjen era vjedhje. Po ministrja tjetër që nuk ndihet, quhet e Kulturës, shiti lahutën dhe çiftelinë, veglat me të cilën krijuam kulturën tonë kombëtare. Dhe i shkruan Neritan Cekës që ka të paktën 100 vite me të atin në arkeologji, se koha jote mbaroi. Kjo qeveri, është qeveri e cila gjithçka bën, për varfërimin e shqiptarëve, për dy qëllime, do të përzërë rininë nga Shqipëria dhe varfëria qeveriset më lehtë. Foltorja ka rikthyer shpresën dhe i bashkohen për të përmbysur regjimin” – tha Berisha.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb