TIRANË

Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka folur sot në “Real Story” në News24 për listat e kandidatëve për deputetë të PS dhe spostimin e saj e 21-ta në listën e Tiranës.

Kodheli tha se pavarësisht renditjes ajo do ta fitojë mandatin dhe do të marrë 11 mijë vota, duke e shpallur këtë një lloj sfide.

“Listat janë një miks i meritokracisë me prurjet e reja. Ju e dini kodin zgjedhor. Kodi zgjedhor në gjykimin tim ka një ngërç që duhej rregulluar. Ne duhet të kemi një start të barabartë. Është një miks mes proporcionalit dhe maxhoritarit. Duhej një rishpërndarje. Për aq sa kohë mua më lind e drejta të kërkoj vota në të gjithë qarkun e Tiranës, pavarësisht zonës.
Jo fare nuk jam jashtë fashës fituese. Unë do marr më shumë se 10 mijë vota dhe do kaloj ata që do marrin më pak se 10 mijë vota që sot konsiderohet i sigurt brenda fashës. Kjo është çështje jo hakmarrje, nuk di të hakmerrem, por sfidoj. Unë sfidoj këdo që mendon që unë nuk do ia mbërrij.
Kjo është logjika. Ditën që ai që më ka vendosur në atë pozicion dhe ata që kanë miratuar atë pozicion bashkë me mua, mendojnë që jam aq e zonja t’i marr 11 mijë vota që do t’i marr”, deklaroi Kodheli.

Ajo tha se beson që do e fitojë mandatin e deputetit, duke qenë dhe votim nominal përveç se partiak. Sa i përket faktit që Edi Rama nuk e zgjodhi më në kabinetin qeveritar, Kodheli tha se për shkak të zgjedhjes së kryeministrit ajo ka hyrë në histori si gruaja e parë ministre e mbrojtjes në vend.

“Që vota për Mimin të ketë vlerë duhet të votohet dhe PS. Nëse dikush nuk pëlqen Mimin, por voton vetëm PS, kjo shkon në koshin e madh dhe më pas përpjesëtohet. Nëse votohet Mimi dhe jo PS, vota ime është nul. I shkon grupit të madh të votave.
Për shkak të zgjedhjes së Edi Ramës, Mimi Kodheli ka hyrë në histori si gruaja e parë ministre e mbrojtjes së këtij vendi. Nga pikëpamja protokollare kam qenë njeriu i katërt më i rëndësishëm në Shqipëri. As nuk e kam ëndërruar nga pikëpamja politike”, tha deputetja e PS.

Ajo deklaroi se ka hyrë në politikë të ndryshoj qytetin e saj Tiranën, që siç tha ajo e ka gjetur të mjeruar. “Kam lënë një pagë disa fish më të madhe dhe jam bërë nënkryetare bashkie për 4 vjet sepse kam dashur t’i shërbej qytetit tim. Dhe sot kur më thonë gjëja më e bukur në karrierë nuk them ministre e mbrojtjes them nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës. E kam bërë këtë sepse kam besuar tek ky ndryshim. Sot jam në një pozicion krejt komod, shumë e vlerësuar nga PS dhe Edi Rama, një nga njerëzit më të vlerësuar. Kam pasur nderin e jashtëzakonshëm të përfaqësoj vendin tim në tryezat më të larta botërore. Unë nga politika kam marrë maksimumin si pak grua dhe pak burrë në këtë vend”, tha ajo.

E pyetur se përse Rama e hoqi nga posti i ministres së Mbrojtjes, Kodheli tha se duhet pyetur kryeministri.
“Duhet të pyesni Edi Ramën, unë besoj se 4 vite kanë qenë të mjaftueshme për të bërë diferencën”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb