Dy alpinistë vdiqën dje në malin Everest, duke e çuar numrin total të të vdekurve në sezonin e ekspeditës pranverore në tetë, thanë zyrtarët e turizmit në Nepali.

“Një alpinist kinez vdiq dje pasdite pranë “Samitit të Jugut”, ndërsa një alpiniste indiane vdiq në një spital në Lukla herët në mëngjes”, sipas Bigyan Koirala, një zyrtar në Departamentin e Turizmit të Nepalit (DoT).

Alpinistja indiane u transportua me avion nga kampi bazë ku ajo ndoshej.

Shkaku i vdekjes së tyre mbetet i panjohur.

“Trupi i alpinistes indiane tashmë është dërguar në Katmandu, ndërsa ende nuk kemi marrë detaje të mëtejshme për alpinistin e vdekur kinez”, tha Koirala.

“Numri i të vdekurve për këtë sezon deri tani ka arritur në tetë”, thanë zyrtarët e DoT.

Më 17 maj, një alpinist nga Moldavia vdiq rreth Colit të Jugut, ndërsa një alpinist nga Himalajat vdiq rreth Kampit III më 16 maj.

Një alpinist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tre alpinistë nga Himalajat vdiqën në fillim të sezonit.

Burimet në kampin bazë thanë se këtë sezon ka pasur një rritje të rasteve të ngricave dhe sëmundjeve të lidhura me lartësinë.

“Rreth 350 persona kanë arritur majën e Everestit në vitin 2023”, sipas oficerit ndërlidhës të qeverisë Khimlal Gautam i cili aktualisht ndodhet në kampin bazë.

“Alpinisti britanik, Kenton Cool u bë alpinisti i parë jonepalez që arriti majën e Everestit 17 herë”, sipas “Himalayan Times”.

Nepali ka lëshuar leje për 478 alpinistë këtë vit, duke përjashtuar guidat lokale.

Nepali është shtëpia e tetë nga 14 majat më të larta në botë, të gjitha mbi 8000 metra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: