TIRANE

Shtatzania kërkon një kujdes të shtuar mbi shëndetin e gruas. Dieta ushqimore ka një rol të rëndësishëm në rritjen e fetusit. Nutricionistja Hyrida Basha në lidhjen direkte me emisionin “Vila24” në “News24” tha se një femër duhet të marrë masa që para se të mbetet shtazënë. Basha thekson nevojën për acid folik sipas rekomandimeve të gjinekologëve. Marrja e acidit folik, vitaminës D dhe jodit janë të nevojshme por në sasinë e rekomanduar.

Nutricionistja Basha vëren se duhet të bëhet kujdes të mos kalohet doza e vitaminës A, pasi trupi shkon në nivel toksik , po kështu rrezik paraqitet edhe me vitaminën E e cila është kërcënuese për trurin kur teprohet me sasinë. Sa i përket ushqimit me produkte krudo, Basha thotë se ato duhen eleminuar pasi fakti që nuk janë të gatuara, rrezikojnë të bartin mikrobe e baktere, më e zakonshme e fatale për shëndetin, toksoplazmoza që haset shpesh tek jashtëqitjet e maceve e që qarkullojnë në produkte. Peshku, sipas Bashës ka probleme me përqindjen e mërkurit, por nëse zgjidhet i vogël, si sardele apo merluc e i gatuar mirë, është i domosdoshëm për organizmin si burim i omega 3 apo elementeve të tjera.

Në bisedë, Basha thotë se dieta e grave shtatzëna duhet të jetë e kontrolluar edhe sa i përket kafesë apo çajit. “Sasia e tepërt e kafesë ndikon tek sistemi nervor i fëmijës, ndaj duhet të mos kalohet masa. Alkoli dhe cigarja duhen ndaluar..”-shton ajo, duke sqaruar se uji e lëngjet e frutave janë të rëndësishme. Ajo thekson nevojën për ushqimin me fruta për të ruajtur një peshë të kënaqshme, alternuar edhe me ushtrime fizike, nëse mjeku gjinekolog ia lejon gruas shtatzënë. “Ecje, yoga, not. Shijojeni shtazaninë! Dyfishoni cilësinë e jo sasinë e ushqimeve”- thekson Basha në fund të lidhjes direkte me moderatoren Kolka në “Vila 24”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb