Mosha e tretë ka nevojë për një kujdes të veçantë. Nutricionistja Hyrida Basha këshillon që përdorja e medikamenteve duhet shoqëruar me një dietë ushqimore të posaçme. Në lidhjen direkte me Skype në “News 24” në “Vila 24”, nën moderimin e Androniki Kolkës, Basha thotë se persona të moshës së tretë duhet të marrin vlera ushqyese për të kompensuar uljen e vitaminave apo proteinave. Ajo tërheq vëmendjen për të marrë masa që herët në prag të menopauzës apo andropauzës.

Sipas saj kjo parandalon thellimin e shqetësimeve që shfaqen me kalimin e viteve si tensioni i gjakut apo diabeti. Basha vlerëson nevojën për aktivitet fizik me qëllim që te ruhet masa muskulare apo edhe për të ndihmuar qarkullimin e gjakut. Menuja e mëngjesit, sugjeruar nga nutricionistja Basha konsiston tek marrja e bulmetit pa yndyrë, fibrat përmes bukës integrale dhe frutave kombinuar me perime. Ajo vëren se pirja e kafesë me stomakun bosh është e dëmshme, sidomos për rastet me tension të lartë. Ushqime që sigurojnë vitaminën D, kalçiumin dhe fibrat janë rregulli i artë. E pyetur për përdorimin e mishit, Basha i jep përparësi mishit, por me shumë rëndësi është peshku të paktën 2 herë në javë.

E pyetur për ëmbëlsirat, Basha thotë se janë të shëndetshme ato që përgatiten vetë në shtëpi me përbërës të përzgjdhur. Shijojnë madje këshillohen mollë të pjekura me majltë e arra apo hashure me bollgur. Darka si një vakt i rekomanduar, për Bashën duhet të konsumohet jo më vonë se ora 19:00 e mbrëmjes e duhet të përmbajë kryesisht sallatë, supë, bulmet pa yndyrë e shumë kalçium. Për të pasuruar organizmin me vitamin D, rekomandon qëndrimin në diell, ndërsa vlerëson edhe lëvizjet nga pak minuta në ditë për të mbajtur larg stresin e depresionin e izolimit. Duke folur për ushqime të ndaluara , Basha rendit ushqimet e shpejta, perimet e skuqura, margarinën dhe kripën duke theksuar nevojën për të pirë të paktën 2.8 l lëngje në ditë. Në fund, për një gjumë të qetë, Basha këshillon çaj jeshil, kamomil apo kanellë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb