SHKODER- Dy ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy pilotë të Forcave Ajrore, janë nxjerrë nga Liqeni i Shkodrës mbetjet e helikopterit ushtarak. Mësohet se në operacion janë angazhuar polumbarë nga Tirana, forca të ushtrisë, si dhe policia e Qarkut Shkodër.

Tek pjesët e nxjerra rezultojnë të jenë një sedilje e helikopterit, një pjesë e motorit të helikopterit si dhe disa mbetje të tjera. Ndërkohë që nga operacioni nuk është gjetur ende kutia e zezë.

Mbetjet po transportohen me një furgon të Ministrisë së Mbrojtjes për në Tiranë. Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe një përfaqësues i kompanisë ‘Eurocopter’.

Nxjerrja e helikopterit do t’i shërbejë edhe hetimeve të nisura tashmë nga prokuroria për shkaqet e rënies së tij. Mësohet se në hetime do përfshihet edhe kompania franceze “Eurocopter” nga e cila u ble vitin e kaluar dy helikopterë të modelit “EC 145”.

Përveç polumbarëve, nga Tirana në operacionin e nxjerrjes së pjesëve të helikopterit kanë qenë edhe forcat RENEA. Gazetari Mirsad Rakaj bëri me dije se në liqen ka pasur edhe mjete të specializuara të lundrimit, ndërsa të gatshëm për të ndihmuar kanë qenë edhe peshkatarë të zonës.

Helikopteri “EC 145” i Forcës Ajrore Ushtarake Shqiptare ka kryer dy fluturime para se të rrëzohej në Liqenin e Shkodrës, ku fatkeqësisht humbën jetën dy pilotët Florian Deliaj dhe Dorian Hoxha. Specialistë të kompanisë “Eurocopter” pritet që të mbërrijnë nga Franca që të përcaktojnë shkakun e aksidentit. Itinerari i parë në flururimin njohës (stërvitje rutinë), është bërë nga baza e Farkës drejt Jugut të vendit dhe nisja është kryer në orën 08:30.

I njëjti helikopter, me numër 367, pasi është kthyer në bazë dhe ka kryer ndalesën njëorëshe, ku është kontrolluar në aspektin teknik, ka marrë urdhrin për ngritjen sërish në ajër, por këtë radhë me itenerarin Verilindje, Veri dhe kthim përgjatë ultësirës Perëndimore.

Këto fakte kanë dalë dje nga komanda e forcës ajrore, ku shprehen se për aksidentin ende nuk kanë të dhëna të plota për të përcaktuar shkaqet e rënies së tij në Liqenin e Shkodrës, që çoi në vdekjen tragjike të dy pilotëve Deliaj dhe Hoxha dhe plagosjen e ushtarit profesionist Gerald Baramuça.

Paçka se nuk kanë dalë versionet zyrtare mbi këtë aksident, ka dyshime paraprake mbi pasigurinë që kishte mjeti fluturues.

Ai është i ndërtuar në formë të tillë që uljen e ka me slitë, që nënkupton se në rast aksidenti, duhet të kishin funksionuar jastëkët e ajrit. Në rastin konkret, duket se ata nuk kanë qenë aktivë, çka ka sjellë edhe tragjedinë. Që dy pilotët mund të kenë besuar në mjetin që drejtonin, kjo përforcohet edhe nga fakti që ata ishin me rrip sigurimi të lidhur, çka tregon se nuk tentuan hedhjen nga helikopteri, duke shpresuar minimalisht në hapjen e jastëkëve të ajrit pranë pjesës së slitës.

Versioni i dytë është që ka qenë një gabim njerëzor nga ana e dy pilotëve, të cilët mund të mos kenë llogaritur distancën mes liqenin dhe lartësisë ajrore që duhet të mbanin.

Nga ana tjetër zyrtarisht thuhet se komunikimi me kullën e kontrollit helikopteri e ka humbur rreth orës 13:45, por sipas specialistëve të Forcave Ajrore, ndodh shpesh që pasi mjetet fluturuese futen në thellësi të vendit, si në Jug ashtu edhe në Veri e kanë të pamundur komunikimin normal, për shkak të mungesës së valëve.

Të paktën këto tri versione mbesin ende si shkaqe të mundshme të tragjedisë ajrore që çoi në humbjen e jetës së pilotëve.

Ndërsa mjaft interesante pritet të jetë dëshmia e të mbijetuarit, ushtarit profesionist Donald Baramuça. Ai është marrë dje në pyetje nga hetues të Policisë Ushatarake dhe sipas procedurave hetimore, paralelisht me prokurorinë, kryen hetimet edhe Policia Ushatarake.

Arsyet e aksidentit pritet të zbardhen edhe nga Kutia e Zezë. Pikërisht brenda saj fshihet një pjesë e madhe e misterit të rrëzimit të helikopterit “EC 145”, që kishte vetëm pesë muaj që mbërriti nga Franca.

Përfaqësuesit e kompanisë prodhuese janë shprehur se do të sjellin në Shqipëri specialistët e tyre që do të merren me hetimin e rastit të aksidentit.

Mësohet se helikopteri është brenda garancisë dhe nëse rezulton se aksidenti ka ardhur si pasojë e problemeve teknike, kompania prodhuese “Eurocopter”, është e detyruar të sjellë një tjetër mjet fluturues sipas kontratës.

Në rast se hetimet shkojnë në përfundimin se mund të jetë gabim njerëzor i pilotëve, atëherë çështja mbyllet dhe kompania nuk është e detyruar që të sjellë mjet të ri.

Ardhja e tre helikopterëve, mes të cilëve edhe “EC 145”, u konsiderua si modernizim për Ushtrinë Shqiptare, madje u mbajt një ceremoni e veçantë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Incidenti i dy ditëve më parë solli humbjen e jetëve të kapiten Florian Deliajt dhe toger Donald Hoxhës, që të dy pilotë të talentuar që kishin kaluar disa kurse të gjata trajnimi, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Në ditët në vijim pritet që të dalin konkluzionet përfundimtare në lidhje me të gjitha shkaqet e këtij aksidenti të rëndë ajror.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: