Në një kohë kur sot trupi i pajetë i 37-vjeçares Brunilda Sadushit (Kovaçit) u përcoll për në banesën e fundit, ngjarja merr përmasa edhe më tragjike, pasi djali i saj 3-vjeçar ka ngelur në Francë i vetëm.

Mes lotëve dhe dhimbjes, familjarët e saj kanë kryer ritet e fundit mortore në nder të Brunildës, e cila u gjet e vrarë në një pyll të Francës, dhe e kanë varrosur atë në Varrezat e Suelasit në qytetin e Beratit. Ndërkohë, gazetarja Eneida Petova raporton për ‘BalkanWeb’ se djali 3-vjeçar i viktimës, Leonardo, nuk kanë mundur dot ta kthenin në Shqipëri, sepse nuk i ka lejuar shteti francez, për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë.

Nëna e vajzës, Fatime Kovaçi dhe familjarët e saj kanë deklaruar se nuk i ndihmoi askush për sjelljen e trupit të pajetë të vajzës nga Franca në Shqipëri. Ata thanë se janë kredhur në borxhe për marrjen e trupit të Brunildës. Fatimeja, mes lotësh kërkoi nga shteti edhe ardhjen e 2 djemve që ka në burg për të marrë pjesë në funeralin e motrës së tyre të vetme, për të cilët bëri edhe kërkesë pranë IEPV-së Berat por askush nuk ia solli. Mes dhimbjes së madhe për humbjen e vajzës së vetme, Fatimeja tashmë është në pritje të një lajmi të mirë që dikush t’i sjellë nipin e saj.

37-vjeçarja u gjet e vrarë dhe e djegur në një pyll të Francës në 25 Dhjetor 2019. Një ditë më pas shteti francez deklaroi se vajza ishte punëtore seksi dhe ishte nga qyteti i Beratit, ndërsa autori, një klient, ka pranuar krimin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb