Teksa rezultatet e sondazheve në Amerikë kanë nxjerrë fitues bindshëm Joe Biden si presidenti i ri i SHBA-ve, në realitet kjo gjë nuk po shihet. Por ku kanë gabuar sondazhet?! Në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Fatos Tarifa tha se SHBA-të kanë pësuar ndryshime të mëdha demografike dhe kjo ka ndikuar në rezultatin e sondazheve.

“SHBA ka pësuar ndryshime të mëdha demografike dhe kjo ka ndikuar në rezultatin e sondazheve. Metodat dhe teknikat e sondazhit vjetrohen me kohë. Dikur bëheshin me telefon fiks, sot me celular.”, tha Tarifa. Ndërkohë analisti Skënder Minxhozi foli për një grupim për votë të fshehtë për Trump, duke bërë që rezultati në fund të jetë ndryshe nga sondazhet.

“Ka disa faktorë që lidhen me specifikën ‘Trump’, si Berluskoni dikur. Kompanitë e sondazhit në Itali e kishin të vështirë që të nxirrnin rezultate me Berluskonin. Pasi kishte vota të fshehura dhe ketij grupimi i vinte turp ta deklaronte se do votonin për të. Ndaj dhe në SHBA është një grup për votën e fshehur për Trump.”, tha Minxhozi.

Nga ana tjetër, ish-deputeti i PD-së Arben Ristani tha se në sondazhet në kompanive amerikane, pyetjet që i referoheshin Trump ishin për çështje ekonomike, ndërsa për demokratët për çështjet raciste. “Pyetet për Trump ishin për papunësinë, për ekonominë. Kur pyesin për të majtën janë pyetur për çështjet raciste, për gjëra të ndryshme. Për mua ndaj kanë gabuar sondazhet. Merrnin më tepër pikë tek e majta.”, pohoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb