Publikohet historia e panjohur e ndodhur më 28 nënor të vitit 1944 në fshatin Xhan të krahinës së thellë të Dukagjinit, ku një njësit partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese që komandohej nga komandanti Jaho Gjoliku dhe komisari Haki Toska, ekzekutuan një grup malësorësh nga fshati Bruçaj, të cilët duke udhëtuar natën për në shtëpitë e tyre pasi kishin bërë pazar në qytetin e Shkodrës, ndeshën në një pritë partizane të asaj brigade që komandohej nga pioneri 15 vjeçar, Çelo Sinani, (“Hero i Popullit”) që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tyre.

Dëshmia e rrallë e Prek Sokolit me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në fshatin Rranxa të Bushatit, i cili tregon të gjithë historinë e asaj ngjarje të dhimbëshme, ku në shënjë hakmarrje ndaj pionerit partizan që u vra gabimisht prej atyre malësorëve shtegtarë në pritën që kishin ngritur njësiti i “Batalionit të Spastrimit’ me urdhër të komandës së asaj brigade, një partizane e re, ‘motra’ e Çelo Sinanit, ekzekutoi dhjetë malsorë të pafajshëm: Tom Martini, Pëllumb Sokoli, Kol Vata, Pal Pëllumbi, Nikoll Mirashi, Mëhill Vocrri, Pal Vata, Shytan Deda, Prenush Zefi dhe Lazër Vuksani.

Dëshmitë e rralla të disa prej familjeve të viktimave, lidhur me ngjarjen tragjike, ku pas ekzekutimit, njësiti partizan i Brigadës së VI-të Sulmuese, i zhveshën lakuriq dhjetë malsorët e vrarë, duke u’a marrë rrobat që u duheshin për shokët e tyre partizanë dhe i shpërfytyruan kufomat duke i goditur me bajonetat e pushkëve!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dëshmia e nënkolonel Arif Bizhgës, ish-komisar kompanie në Brigadën e VI-të Sulmuese dhe pjesmarrës në atë ngjarje, (ish-ushtarak madhor me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendëshme) dhe e Reis Sinanit, (vëllait të Çelo Sinanit, që mban titullin e lartë “Hero i Popullit”), ish ushtarak i diplomuar për Inxhinjeri Elektronike në ish-Bashkimin Sovjetik.

“Sapo ata mbërritën diku në një përrua, ‘motra’ e Çelo Sinanit, nxorri revolverin dhe e qëlloi dy-tre herë në kokë Nikoll Mirashin, duke e lënë atë të vdekur në vënd. Ndërsa kur grupi i partizanëve të Batalionit të Spastrimit të Brigadës së VI-të, Sulmuese së bashku me tetë malësorët e lidhur mbërritën në Qafë-Thanë ku ndodhej shtabi i brigadës, sipas premtimit që i kishin dhënë ‘motrës’ së Çelo Sinanit, të tetë burrat i’a rreshtuan të lidhur përpara saj. Në atë moment, ajo nxorri pistoletën nga brezi dhe nisi t’i qëllonte malësorët e lidhur, duke i goditur të tetë me nga dy plumba në kokë. Kur po bëhej gati të qëllonte mbi të fundin, që ishte 17-vjeçari Mëhill Vocrri, disa partizanë i’u lutën që ta falte, por ajo vazhdoi të qëllonte edhe mbi të duke thënë: ‘Lëreni se qenka moshatar me Çelon tim’. Pasi i la të vdekur në vënd të nëntë malësorët (së bashku me Nikoll Mirashin që e vrau gjatë rrugës), ‘motra’ e Çelo Sinanit u dha urdhër partizanëve të tjerë që t’i zhvishin shpejt e shpejt dhe t’ua merrnin rrobat e trupit të vrarëve, pasi ato u duheshin për partizanët e brigadës, që ishin duke marshuar për në drejtim të Malit të Zi”. Kështu e kujtonte Prek Sokoli, atë ngjarje të largët të ndodhur në 28 nëntorin e vitit 1944, ditën e fundit të Luftës për forcat partizane të Enver Hoxhës që ishin duke marshuar në krahinën e Dukagjinit, për në drejtim të Malit të Zi, ku një partizane e re, ekzekutoi shtatë burra të pafajshëm, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Çelo Sinanit, pionerit partizan, (“Hero i Popullit”) të cilin ajo e konsideronte si vëlla. Po si ndodhi ajo ngjarje, kush ishin dhjetë malësorët që u ekzekutuan nga dora e motrës së dëshmorit Çelo Sinani dhe përse e kreu ajo atë vrasje makabre që nuk është harruar ende në atë trevë të largët të Veriut të Shqipërisë?!

Lidhur me atë ngjarje, përveç dëshmisë së Prek Sokolit si dhe të tre familjeve të tjera ku pjestërt e tyre ishin në grupin e dhjetë të malësorëve të pushkatuar, në këtë shkrim po sjellim edhe dëshminë e Arif Bizhhës, ish-komisar kompanie në Brigadën e VI-të Sulmuese dhe pjesmarrës në atë ngjarje, i cili deri në vitin 1981, ka shërbyer si ushtark madhor me gradën e nënkolonelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendëshme, duke arritur deri në funksionin e zv/shefit të Kuadrit të asaj ministrie. Po kështu, krahas intervistës me z. Arif Bizhga, po japim edhe atë të Reis Sinanit, (vëllait të Çelo Sinanit, “Hero i Popullit”), ish ushtarak i diplomuar për Inxhinjeri Elektronike në ish-Bashkimin Sovjetik.

Vijon nga numri kaluar

Zoti Arif, a e keni njohur ju “Heroin e Popullit”, Çelo Sinanin?

Unë e kam njohur Çelon që kur ai erdhi si partizan në Brigadën e VI-të Sulmuese, ku unë isha efektiv që nga krijimi i saj dhe që nga ajo kohë e deri kur ai u vra, kemi qënë bashkë në atë brigadë?

A e mbani mënd ju ngjarjen ku mbeti i vrarë Çelua?

Ndonëse kanë kaluar shumë vjet që nga 28 nëntori i vitit 1944, kohë kur është vrarë Çelo Sinani, unë, dhe pothuaj të gjithë ne ish-partizanët e Brigadës së VI-të, e kemi të freskët në kujtesën tonë atë ngjarje, për arsye se Çeloja, për vetë moshën e vogël që kishte, ishte bërë simboli i Brigadës.

Ku ndodhej brigada juaj në atë kohë që ndodhi vrasja e Çelos?

Në atë kohë, pra aty nga fundi i nëntorit të vitit 1944, forcat tona partizane të Brigadës së VI-të, ku unë isha me detyrën e komisarit të kompanisë, ndodheshin në Qafën e Kolshit, të krahinës së Nikaj-Mërturit të Tropojës. Aty ne ishim përqëndruar në një luginë pranë lumit që kalonte andej, për t’u mbrojtur nga goditjet e forcave armike kundërshtare, të cilat na kishin zënë prita kudo nëpër gryka dhe na qëllonin pa pushim duke na rrezikur të na shpartallonin krejtësisht.

Përse ndodhej brigada juaj në atë zonë të thellë dhe ç’farë misioni i ishte ngarkuar asaj?

Në atë kohë brigada jonë ndodhej në atë zonë të thellë të malësisë së Tropojës, pasi kishte marrë urdhër nga Komanda e Divizionit që komandohej nga kolonel Tahir Kadareja, për të bërë spastrime në ato zona të thella dhe pas atyre spastrimeve ne duhet të marrshonim për në drejtim të qytetit të Shkodrës, ku do të merrnim pjesë në luftimet për çlirimin e atij qyteti, që mbahej akoma nga forcat gjermane.

Kush ishin komandanti e komisari i brigadës suaj në atë kohë?

Në atë kohë, komandant ishte Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toska.

U shprehët më sipër, që forcat tuaja partizane ishin nën goditjen e forcave kundërshtare armike, të cilat u qëllonin pa pushim. Kush ishin këto forca kundërshtare, ndaj të cilave ju kishit marrë urdhër për të bërë spastrime?

Forcat kundërshtare ndaj të cilave ne kishim marrë urdhërin për të luftuar dhe për t’i spastruar, ishin forcat gjermane dhe ato reaksionare, të udhëhequra nga bajraktarët e atyre zonave. Ky ishte urdhëri që na ishte dhënë ne nga komanda eprore.

Gjatë atyre luftimeve, Brigada ku ishit ju, u ndesh me forcat gjermane dhe a zhvilluat luftime kundër tyre, apo luftimet dhe betejat tuaja konsistonin vetëm ndaj forcave reaksionare shqiptare, siç i quanit ju?

Për të qenë i sinqertë deri në fund me ju, në ato luftime dhe spastrime që bëri brigada jonë në atë kohë, ne nuk kemi parë asnjë gjerman me sy. Por të gjitha luftimet dhe spastrimet i kemi bërë vetëm kundër forcave reaksionare shqiptare. Kjo është e vërteta dhe unë nuk mund të gënjej duke thënë se: në atë kohë ne kemi luftuar kundër forcave gjermane!

Ç’ndodhi më pas me forcat tuaja partizane aty në Qafën e Kolshit, ku thatë se ishit nën goditjen e forcave reaksionare që ju qëllonin pa pushim?

Aty forcat tona u gjendën në një gjendje tepër të vështirë nga e cila rrezikoheshim të shpartalloheshim krejtësisht, pasi rrezikonim të na merrnin krahët, prat ë na rrethonin. Forcat reaksionare që kishin zënë grykat na qëllonin nga lart dhe aty ne na u vra një partizan i quajtur Shyqëri Sinani, që ishte kushëri i Çelo Sinanit. Për të shpëtuar nga ajo gjëndje e vështirë ku situata po ndërlikohej gjithnjë e më shumë, Komandanti i Divizionit, kolonel Tahir Kadareja, që kishte qenë ushtarak i karrierës, dha urdhër që ne të ktheheshim përsëri mbrapsht, për të dalë në periferi të Tropojës. Aty, pasi ne bëmë seleksionimin e forcave, (duke lënë të sëmurët dhe vajzat që do ta kishin të vështirë për të vazhduar më tej marshimin në atë të ftohtë të paparë ndonjëherë), morëm urdhër për të vazhduar përsëri marshimin, me qëllim që forcave reaksionare t’u dilnim në shpinë, me krahëmarrje. Pas kësaj me dy batalionet të komanduara nga Qerim Çakua dhe Qemal Xhaferri, udhëtuam për një ditë të tërë, duke çarë me bajoneta dëbërën e akullin që ishte mbi një gjysëm metri dhe arritëm mbi shpinën e forcave kundërshtare. Aty ne luftuam dhe i shpartalluam krejtësisht ata, të cilët u tërhoqën menjëherë nga goditja jonë e rrufeshme.

A pati të vrarë nga forcat partizane dhe ato “reaksionare”?

Jo as nga ne dhe as nga ata nuk pati asnjë të vrarë.

Ç’farë bëtë pasi i shpartalluat forcat kundërshtare?

Pas shpartallimit të tyre, brigada jonë vazhdoi në kolonë marshimin në një kohë të keqe, duke udhëtuar për në drejtim të Shkodrës, ku siç thashë do luftonim për çlirimin e saj. Gjatë atij marshimi, batalioni i parë kishte lënë një skuadër si pararojë, në të cilën ishte skuadër-komandant, Çelo Sinani. Në vëndin e quajtur Qafë-Thanë, skuadra e pararojës e komanduar nga Çeloja, ra në një pritë të forcave reaksionare ku u shkëmbyen disa pushkë. Pas kësaj u hap lajmi se aty ishte vrarë Çelo Sinani.

Kush qëlloi i pari në atë pritë, skuadra e komanduar nga Çeloja, apo ata të pritës?

Nuk di të them se kush qëlloi i pari, sepse për vetë situatën që ndodhi ajo ngjarje, natën dhe në një kohë të keqe, ajo gjë është tepër e vështirë për t’u përcaktuar. Por llogjika ta thotë se të parët duhet të kenë qëlluar ata të pritës, pra reaksionarët siç i quanim ne.

Pas vrasjes së Çelos, çfarë i’u komuniku juve nga komandanët tuaj?

Ne na u tha se Çelo mbeti i vrarë nga një pritë reaksionarësh, të cilët bënë aksion kundër brigadës sonë, në shenjë hakmarrje ndaj shpartallimit që ata kishin pësuar nga goditja jonë. Pas kësaj, trupi i Çelos u transportua për në fshatin më të afërt, në Domje. Të nesërmen u zhvillua ceremonia e varrimit të tij dhe siç ishte zakon, brigada bëri betimin para varrit të tij, duke u zotuar për t’ia marrë hakun.

Forcat partizane të atyre dy batalioneve ku ishit dhe ju, a u vunë në ndjekje të atyre që qëlluan ndaj Çelos, pra për të marrë hakun?

Po kë të ndiqnim ne në atë natë dhe nëpër atë kohë me shi e dëborë e terren tepër të thyer ku nuk dukej këmbë njeriu?! Ne nuk ndoqëm njeri, por Brigada jonë vazhdoi rrugën dhe në Postribë, ne na sulmuan forcat gjermane dhe ato reaksionare të komanduara nga bajraktari i Vermoshit, Prek Cali, të cilat ne i shpartalluam plotësisht.

Po aty në Postribë a kishte forca gjermane dhe a luftuat ju kundër tyre?

Ne na thanë se kishte gjermanë, por ishte natë dhe nuk pamë gjë. Pas kësaj ne na erdhi lajmi se Shkodra u çlirua dhe nuk e vazhduam më tej marshimin për atje, pasi na u dha urdhëri tjetër, që të vazhdonim marshimin për në Mal të Zi. Në atë kohë komandant i Divizionit tone, u caktua Gjin Marku, ndërsa komisar, Myzafer Spaho.

Po a keni dijeni ju rreth vrasjes së dhjetë burrave në Qafë-Thanë, për të cilët thuhet se ata u vranë në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së Çelo Sinanit dhe ekzekutimin e tyre e kreu një partizane, që në atë kohë u tha se ishte e ‘motra’ e Çelo Sinanit?

Unë nuk di gjë rreth kësaj që thoni ju dhe këtë gjë nuk e kam dëgjuar asnjëherë.

Po nuk u bë asnjë hakmarrje për vrasjen e Çelos, sepse ju vetë u shprehët që u betuat mbi varrin e tij që do t’ja merrnit hakun?

Unë nuk e di që brigada jonë të ketë vrarë dhjetë burra në shenjë hakmarrje për Çelon, por as nuk e mohoj faktin se ata mund të jenë vrarë. Them kështu, pasi vrasja e tyre mund të jetë bërë nga forcat e tjera partizane që erdhën pas nesh, të cilat komandoheshin nga Mehmet Shehu. Ato ndërrmorën operacione spastrimi në atë zonë, ku pati mjaft të vrarë nga të dy palët.

Po brigada juaj nuk ka bërë fare operacione spastrimi, duke ekzekutuar ata që ju i quanit reaksionarë?

Po atëhere luftë ishte dhe brigada jonë ka bërë operacione spastrimi duke vrarë reaksionarë, por ne ato nuk i bënim të fshehta, por të hapura në sy të gjithë partizanëve.

Po si i shpjegoni dëshmitë e familjeve të atyre dhjetë viktimave që thonë se ata dhjetë burra u vranë në 28 nëntor, një ditë pas vrasjes së Çelos, në shenjë hakmarrje për të dhe u kryen nga një partizane që u tha se ishte e motra e tij?

Sinqerisht unë nuk di gjë rreth kësaj ngjarje dhe them se mos ata janë vrarë nga forcat e tjera partizane. Por më mirë për këtë gjë, duhen pyetur ish-partizanë që kanë qenë në një kompani me Çelon, shumë prej të cilëve janë ende gjallë dhe mund të dëshmojnë fare mirë. Ndërsa lidhur me atë që thuhet se ata u vranë nga motra e Çelo Sinanit, kjo nuk qëndron. Sepse Çelua nuk kishte motër partizane në brigadën tonë apo në ndonjë brigade tjetër. Por interpretimi që i bëjnë ata malësorë që kanë dëshmuar për ju, lidhur me atë ngjarje, shpjegohet me faktin, sepse, kur vritej ndonjë partizan dhe duhej të merrej haku ndaj tij, nga komanda i thuhej ndonjë partizane: na vriti ti këta që të kanë vrarë vëllanë tënd. Sepse ne partizanët e partizanet, konsideroheshim motra e vëllezër me njëri tjetrin.

Dëshmia e Reis Sinanit, vëllai i “Heroit të Popullit”, Çelo Sinani

Vëllai i Çelo Sinanit, Reis Sinani, ish-ushtarak i diplomuar për Inxhinjeri Elektronike në ish-Bashkimin Sovjetik, në dëshminë e tij lidhur me këtë ngjarje, shprehej: “Kur e lexova shkrimin mbi vëllain tonë, Çelo Sinanin, unë dhe familja ime u indinjuam pa masë, për arsye se ne nuk kemi pasur asnjë motër partizane. Dy motrat tona, Nihiri dhe Gjylsoja, në atë kohë që është vrarë Çeloja, kanë qenë, njëra dhjetë vjeçe dhe tjetra shtatë vjeçe. Vrasjen e Çelos ne e morëm vesh pas datës 20 janar të vitit 1945, me anë të një letre që na erdhi në fshat. Në atë letër që na e dërgonte komanda e Brigadës së VI-të, thuhej se Çelo ishte vrarë në luftë kundër okupatorëve në betejën për çlirimin e Shkodrës. Sipas asaj që dimë ne si familje nga dëshmia e Kalo Seferit, nënkomandantit të batalionit të Çelos, Çelua është vrarë në pritë kur ishte në pararojë me skuadrën që komandonte, diku në vëndin e quajtur Qafë-Thanë. Pak para vrasjes, Çelua së bashku me partizanët e tjerë, janë ulur për të pushuar dhe atyre u kanë dhënë patate për të ngrënë. Çelua i shkretë nuk arriti që t’i hante dot patatet, sepse erdhi urdhëri për të vazhduar marshimin dhe ai u vra pa mundur që t’i hante dot patatet. Pas kësaj trupin e Çelos e transportuan për në fshatin Domje, ku skuadra e tij u strehua tek familja e fshatarit Ram Deda. Haki Toska, më ka pas treguar se: trupin e Çelos e vunë në njërin krah të mushëkës dhe në krahun tjetër vunë një mitroloz. Atë natë ishte festa e Bajramit dhe e zonja e shtëpisë, Dushe Deda, i tha nuses së djalit të saj, që ta mbulonte trupin e pajetë të Çelos me çarçafin e saj të nusërisë, pasi si myslymanë që ishin, ata e kish për keq që trupi i të vrarëit të gdhiej i zbuluar. Të nesërmen, trupin e Çelos e varrosën tek një shegë, aty në fshatin Domje. Eshtrat e Çelos ne i morëm në vitin 1945 dhe i sollëm në Gjirokastër. Nëna jonë, Zykoja, kur mësoi se Çelua ishte vrarë pa mundur që t’i hante dot patatet që u kishin dhënë, sa ishte gjallë nuk vuri asnjë patate në gojë. Për herë të parë në vëndin ku ishte vrarë Çeloja, unë kam vajtur në vitin 1976. Aty u takuam me familjen e Ram Dedës dhe fshati na priti shumë mirë. Që nga ajo kohë ne lidhëm një miqësi të ngushtë me familjen malësore që na kishte mbajtur trupin e pajetë të vëllait tonë dhe kemi shkuar e ardhur tek njëri tjetëri në raste dasmash a gëzimesh të tjera, duke i ndihmuar edhe për ndonjë problem apo raste sëmundjesh që ata kishin në Tiranë. Ndërsa për sa i përket vrasjes së dhjetë malësorëve në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së Çelos, ne nuk kemi dijeni dhe tani po e dëgjojmë për herë të parë këtë gjë./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb