SHKODER– Pas videos të publikuar një ditë më parë për një sherr të ndodhur në Shkodër mes tregtarëve të duhanit dhe punonjësve të antikondrabandës dhe të policisë, janë ndaluar 4 persona, si dhe është pezulluar 3 ditë nga detyra shefi i Krimit Ekonomik. Në videon e djeshme, tregon momenti kur shefi i Krimit Ekonomik në Shkodër, Pjerin Lazri, ka nxjerrë pistoletën për të kërcënuar dhe frikësuar tregtarët, të cilët po tentonin të merrnin nga furgoni duhanin e sekuestruar.

Por këtij reagimi të shefit të Krimeve, tregtarët e duhanit i janë përgjigjur duke e gjuajtur atë me sende të forta.

Përplasja ka ndodhur në lagjen “Rus” në Shkodër, dhe kjo nuk herë e parë që ndodh, ndërsa inspektorët e Tatimeve dhe të Krimit Ekonomik të drejtorisë vendore të Policisë së Shkodrës, po zhvillonin një aksion blic për sekuestrimin e sasive së duhanit që ata shesin çdo ditë aty.

Sakaq, ditën e sotme, Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetim ndaj punonjësve që nxorën armën gjatë përplasjes me tregtarët. Mësohet se ndaj tyre ka nisur hetim kryesisht për “shpërdorim detyre”.

Ndërsa sipas SHKB, Pjerin Lazri është pezulluar 3 ditë nga detyra, dhe do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë pasi akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb