Arrestohet bashkëpunëtori i vrasjes së Eri Zefit në Mirditë. Ngjarja e rëndë ndodhi në 2 tetor në fshatin Zall Xhuxhë të Mirditës. Bëhet fjalë për shtetasin Mikel (Gjovalin) Alia nga Fani. Burime zyrtare nga policia thanë për ‘BalkanWeb’ se pas kontrolleve të shumta, rrethimit të zonës dhe pas ndërmjetësimit nga ana e familjarëve dhe avokatit të tij, u bë e mundur që Alia të dorëzohej në orën 8:00, pranë një karburanti në Milot.

Ky i fundit akuzohet se ka nxjerrë në pritë Zefin, të cilin mendohet se e ka pasur shok të ngushtë. Siç është raportuar dhe më herët Zefi ka qenë në gjakmarrje për shkak të një vrasje që vëllai i tij kishte kryer në Durrës, ku viktimë kishte ngelur Martin Ndreca.

Për shkak të frikës nga hakmarrja, Zefi qëndronte i ngujuar. Ditën kur ndodhi ngjarja Mikel Alia i kishte thënë Zefit se kishin një punë dhe se të dy bashkë kishin dalë nga shtëpia. Mësohet se rreth orës 23:20 viktima dhe Mikel Alia kishin fikur telefonat dhe nga ai moment humbi lidhjet mes tyre.

Burime zyrtare thanë se Zefi mund të jetë marrë peng dhe më pas të jetë ekzekutuar fare pranë Rrugës së Kombit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb