NGA OSMAN STAFA*

Që prej zgjedhjeve të qershorit 2013-të e në vazhdim, politika shqiptare ka bërë pjesë të saj shumë të rinj. Veprimin e saj të përgëzueshëm, edhe unë e prita me fjalë të mira. Rinia është freski, forcë, e pse jo udhëheqëse procesesh. Edhe të rinjtë “tanë”, patën kurajon t’i hynin politikës. Pastaj, ndërsa po prisja me shpresë kërshërore tejçimin e ideve të tyre, mes “pleqve” të lodhshëm të politikës së ditës, vura re se të rinjtë nuk po mjaftoheshin duke iu dëgjuar fjalën të vjetërve, por u morën gjerësisht edhe me “pordhën” e tyre. Nuk thanë, nuk folën, nuk dhanë…vetëm zbatuan. Nga ana tjetër morën poste jashtëzakonisht të rëndësishme dhe më shumë përgjegjësi për moshën që kanë. Nuk janë vetëm pjesmarrës në forumet politike, por kanë arritur deri aty sa janë bërë edhe deputete e anëtare të këshillave bashkiake. Së pari, nuk kam asgjë personale ndaj askujt, sepse po të kritikosh në Shqipëri merret personale dhe quhesh kundershtar, apo dikush që ka një përfitim meqë po “fut hundët”. Por edhe nëse e merrni personale, nuk më “plas”. Nëse ndodh, është një tjetër dëshmi se nuk ka ndryshuar akoma mentaliteti komunist, që po të kundërshtoje quheshe armik i sistemit dhe degdiseshe nëpër interrnime apo diku nëntokë, pa nam dhe nishan. Sot politika e vjetër këtë mentalitet po e implementon edhe tek të rinjtë. Si? Normalisht që gjërat kanë ndryshuar. Sot nuk të internojnë, por që po t’i kundërshtosh nuk të hapet më asnjë derë, dhe ti izolohesh.

Është kjo politikë (pjesë e së cilës jemi edhe ne sot) që prindërit tanë e kanë akuzuar dhe e akuzojnë si “vjedhëse” të së ardhmes sonë.
Në jetën politike ka të rinj 20-vjeçarë, ose që e kanë nisur karrierën në këtë moshë. Po pse këta të rinj? Pse politika nuk i lë të merren me shkollimin e tyre, kur vërtetë i vlerson? Si mund të kenë përgjegjësinë e fateve të popullit, kur akoma nuk kanë përfunduar shkollimin?
Vallë, kaq shumë i ka rënë vlera shkollimit?!
Po a nuk po vuajmë nga kjo simptomë sot? Nuk po vuajmë nga parlamentarët pa shkollë, të cilët e kanë marrë diplomën me lekë dhe tituj shkencorë të pamerituar? Pra, nesër do të kemi të bëjmë me ata analfabetët funksionalë që përmend shpeshherë Kryeministri.
Pse nuk merren ata postshkollorët, ata të cilët i kanë mbyllur llogaritë me masterin apo me doktoraturën?
Shumë e thjeshtë; Sepse ata nuk mund të jenë një kartë e kontrollueshme në dorën e kryetarit të partisë. Ata nuk mund të kontrollohen sepse tashmë kanë mendimet e tyre, i kanë rezistuar “pengmarrjes politike”. Shumë më e thjeshtë për politikën është të krijojë rekrutë tek ata 20-vjeçarët të cilët i ngacmon ëndrra për t’u bërë pjesë e politikës.
Për ta në kohë zgjedhjesh është shumë e thjeshtë t’i lënë orët e mësimit, me justifikimin se do të merren më partinë dhe forumet rinore. Të rinjtë 18-vjeçarë kërkojnë të ketë zhvillim për të ardhmen e tyre dhe të vetmen rrugë shikojnë politikën. E drejtë deri këtu. Të rinjtë janë plot me ide, vullnet, ambicie dhe dëshirë për të punuar, por që gjithë fuqia e tyre nuk përdoret tjetër, veçse për interes të caktuar dhe për vota. Kështu “mendimet e partisë” bëhen edhe mendimet e të rinjve. Ikin nga idealet, për të mbrojtuar tashmë “partinë”!

Po pse politika papritur kthehu vëmendjen nga të rinjtë?
Natyrisht drejtuesit e partive politike në vend, e panë shumë mirë se çfarë arritën të rinjtë në protestat e zhvilluara për armët kimike. Vendosmëria e tyre për të ndryshuar një vendim, “çmendi” politikanët. Disave ju kujtuan vitet ‘90, kur për t’i dhënë shuplakën sistemit komunist, u desh vendosmëria e rinisë.
Kështu, partitë politike nisën gjuetinë e shtrigave, duke i ftuar këta të rinj, “forcën” e fushatave zgjedhore, të bëheshin pjesë e tyre.
Cfarë ndodhi?
Shumë prej tyre iu dhanë poste që normalisht ata s’kishin tagrin për t’i mbajtur. Deputetë, drejtorë, sekretarë, koordinatorë. Kjo mjaftoi që të rinjtë e tjerë të sfidoheshin nga këto dhurata të bëra nga partitë dhe lanë shkollën për të përqëndruar vëmendjen e tyre tek “puna” që të jep partia dhe, jo tek arsimimi.

Disa parti i shikojnë të rinjtë si votues potencialë të së nesërmes, për këtë arsyë investojnë tek ata. Si? Kjo shumë e thjeshtë, duke u premtuar bursa studimi jashtë vendit, duke premtuar udhëtime nëpër Europe, duke premtuar shkollën, duke premtuar një vend në politikë nesër, duke premtuar pushimet verore.
A nuk po e shikojmë sesi vit pas viti, partitë politike po bëjnë “festë” në jug të vendit, duke dërguar mijëra të rinj? A nuk po e shikojmë që vazhdimisht gjatë fundjavave kemi “party” të organizuar nga partitë politike?
Ja keni bërë ndonjëhërë pyetje vetes, nga vijnë këto para? A nuk keni prindërit tuaj, të cilët u dhëmb koka dhe e mendojnë 100 hërë atë ikjen për pushimë? 5 ditë në jug kushtojnë gati 500 mijë lëkë. Po për 500 të rinj dhe për 20 ditë? Po “party”-t e përjavshme në Tiranë apo në qytete të tjera? Po udhëtimet jashtë vendit? Nga ana tjetër, disa të rinj që nuk zgjodhën të ishin pjesë e politikës, vazhdonin rrugën drejt Gjermanisë, sepse politika 25-vjeçare e Shqipërisë dështoi. Pse këto para nuk mund të investoheshin tek të rinjtë, jo për qejf, sepse nuk e kemi atë luks, por për të ndihmuar një familje, një jetimi për t’i mundësuar shkollën, një fshati për t’i ndërtuar rrugën, apo për t’i mundësuar një shkolle, bibliotekën? Besoj se ndjesia në këto raste është shumë herë më e madhe sesa ajo kënaqësia që merr kur kërcen në një “party” me shkumë, kur bëhesh tapë në të, kur fut kokën në det.

Ky fenomen rrezikon që edhe për shumë vite të tjera në Shqipëri të mos ketë “zë” të të rinjve, sepse ata tashmë janë bërë pjesë e sistemit, që ne e akuzjmë se na ka lënë pa të ardhme.
Në vazhdën e mendimit, këta të rinj infektohen me ambicien për të arritur gjithëkund pa meritë, dukë prishur kështu marrëveshjen me meritokracinë. Më vonë këta të rinj, të stërvitur nga politika e kalbur, term që e artikulojmë në përditshmëri, do të bëhen si derrat e Fermës së Kafshëve të Anglisë, të cilët erdhën me ambicien për të sjellë “lirinë”, por që u bënë më keq se diktatorët. Do të marrin kamxhikë në dorë, dhe do ua bejnë shqiptarëve kurrizin më të butë sesa ua ka bërë politika e këtyre 25 viteve.

Të bësh pjesë një të ri 20-vjeçar në politikë, bëhet shumë e thjeshtë për ta kontrolluar atë. Pikë së pari, s’mundesh të dalësh asnjëhërë me mendimet e tua, por duhet të mendosh si partia. Shpesh kam lexuar që X person (i ri) mbron të drejtat e të rinjve në Y institucion. Por, si mund të mbrohen këto të drejta, kur ajo çfarë ti thua është në sinkron të plotë me qëndrimin e partisë?

Kryetari nuk është Zoti. Ai është i zgjedhur, i gabueshëm dhe pjesë e “një kënete politike”. Kryetari nuk është Babagjyshi i Vitit të Ri. Ai nuk bën dhurata, por mezi pret të të përdorë, për të plotësuar vetquajtjen Zot. Ai preferon të të shfrytëzojë. Merret me varfërinë tënde, me pamundësinë, me pikat e tua të dobëta. Një “party”, një post, një aktivitet, një favor… janë vetëm një cohë e hollë e një realiteti mashtrues. Partia nuk është e vetmja formë. Ti djalë me ambicie, mos e kap partinë për të ëndërruar të jesh Ministër nesër. Bëje dhe këtë! Por mos harro se ke “harac” për të paguar. Ti vajzë e talentuar, mos i hidh idealet për strukturën e partisë. Mos shiko sa shpejt u bëre faktor shoqëror, por mendo se je thjesht peng. Katapultimi drejt një pozite sociale të pakuptueshme për ty, nuk është realiteti! Kontrolloji krahët se mund t’i kesh të lidhur në fluturimin tënd. Partia është trend sot? Trendi je ti vetë. Mbaje këtë status. Mos ndrysho e mos shko drejt “Gjigandit”! Do të rrezikosh të kthehesh në “shkurtabiqin” dipendent të tij të preferuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: