I ashpër në paralajmërimin e tij për mazhorancën ka qenë të premten ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili nga foltorja e parlamentit paralajmëroi shumicën të pranonte amendamentet kushtetuese për vetting-un në politikë, ose përndryshe do të shkundeshin nga karriget.

“Edhe një herë ju bëj thirrje, momenti është kritik. Ju them se mund të bëni një gabim, më të rëndin që keni bërë ndonjëherë, nëse përdorni kartonët e zinj, të nxira të krimit siç i keni, në rast se ju përdorni sot këtu diktatin e krimit, si përfaqësues të tij, për të hedhur poshtë këtë amendament, i cili do të bënte historinë për shqiptarët. Për ndryshe, ju garantoj se forca do t’ju shkundë nga kjo karrige. Për ndryshe bëhuni gati në rrugë dhe në sheshet e Shqipërisë do të ushtojë, ‘o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri.’ Kjo do jetë”, tha Berisha.

Por për deputetin socialist të Lezhës, Pjerin Ndreu ish-kryeministri Berisha këtë ka bërë gjithmonë. Ndreu në një intervistë për “Politika Online”, në gsh.al, i cilëson deklaratat e Berishës si lajthitje dhe sipas tij pushtetin e ka marrë dhe e ka mbajtur gjithmonë me dhunë.

“Çfarë ka bërë gjë tjetër ai, ma thuaj pak… Ky vend që nga 92 kur erdhi zotëria në pushtet kishte të gjitha shanset, mund të ishte në hap me Slloveninë e Hungarinë. Për shkak të tij ky vend ka ngel pas edhe Maqedonisë. Unë këtë thirrje e marr si një lajthitje që ai e ka në ADN. Nuk mund të vij në pushtet as të mbajë pushtetin me rregulla. Kurrë nuk e ka bërë këtë, ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur me armë. Shteti kur ka qenë ai të vriste, dhe ne kemi probleme por nuk kemi ngritur armët ndaj qytetarëve. Vërtet kemi probleme, nuk jemi në pritshmërinë që duhej por nuk kemi vrarë”, deklaroi Ndreu.
Sipas tij ku tension që po krijohet vjen për shkak se duan të bllokojnë reformën në drejtësi.
“Pse ka një tension. Reforma në drejtësi do luftojë korrupsionin. Është një projekt eksperimental që do aplikohet në Shqipëri. Është më e ashpra që aplikohet ndonjëherë në botë, ku do varet dhe eksportimi i saj në rajon”./GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb