Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, ka debatuar ashpër me policët e Vlorës, pas ndalimit të katër personave lidhur me përplasjet në KZAZ për bllokimin e procesit zgjedhor.
Ish-deputetja Pampuri iu kërkon policëve të japin arsyet e ndalimit të qytetarëve, të cilët sipas saj, as nuk kanë vjedhur dhe as nuk kanë përdhunuar.

Gjatë debatit me policët, Pampuri thekson se forcat e rendit kanë shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët, teksa sipas saj, po mbajnë peng KZAZ, duke dalë kundër dekretit të Presidentit Ilir Meta.

Debati mes Pampurit dhe policëve:

Pampuri: Jepni arsyen pse janë arrestuar.
Polici: Nuk janë arrestuar, janë ndaluar.
Pampuri: Më falni, janë ndaluar.
Polici: Janë ndaluar se kanë hyrë në KZAZ.
Pampuri: Nuk kanë hyrë, arsyeja e ndalimit është totalisht e paligjshme. Ne do qëndrojmë këtu, djemtë janë aty.
Polici: Juve mund të vini t’i takoni.
Pampuri: Jo, unë do t’i takoj kur të dalin këtu, nuk kanë arsye të futen në drejtori fare. Do rrimë këtu deri nesër në 10, inshallah jeni kthjelluar e nxirrni materialet, ndryshe do t’i nxjerrim ne. Nxirrni çunat se është ndalim i paligjshëm, ti i pari po shkel ligjin që ke marrë katër çuna të pafajshëm. Edhe unë nesër mund të hyjë në një shkollë, do më arrestoni?
Polici: Nuk janë me statusin e të arrestuarit.
Pampuri: Arsyeja e ndalimit. Nuk po e shkel ti ligjin që ke shkelur dekretin e presidentit, që po mban një KZAZ peng.
Polici: Në bazë të vendimit …
Pampuri: Në cilin vendim mo, në vendim të Edi Ramës, Rama nuk është mbi Presidentin, o zotëri dekreti i Presidentit është mbi gjithçka. Ju të gjithë këtu po shkelni dekretin e Presidentit. Keni shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët, po veproni të gjithë në mënyrë antikushtetuese. Djemtë do t’i presim këtu, djemtë as kanë vjedhur, as kanë përdhunuar, ata që kanë vjedhur e përdhunuar i keni të lirë, shkoni e kapini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb