SHBA-Presidenti amerikan, Barack Obama i konfirmoi sot gjatë një bisede telefonike homologut të tij francez, François Hollande angazhimin personal për dhënien fund të praktikave të së kaluarës, që sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë janë të papranueshme mes aleatëve, njoftoi sot presidenca franceze.

“Presidenti Obama përsëriti pa asnjë lëkundje angazhimin e tij të vendosur për dhënien fund të praktikave të tilla, të papranueshme mes aleatësh”, shtoi Elysse-ja.

Në ndërkohë, kryeministri francez, Manuel Valls deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhej të bënin gjithçka për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara franko-amerikane pas përgjimeve të dyshuara të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të tre presidentëve të fundit francezë.

“SHBA duhet të jetë e ndërgjegjshme jo vetëm për rrezikun që akte të tilla i shkaktojnë lirive tona, por edhe të bëjë gjithçka, madje shumë shpejt, për të riparuar dëmin e shkaktuar marrëdhënieve mes vendeve aleate dhe mes Amerikës dhe Francës”, tha Valls para Asmablesë Kombëtare.

Skandali i përgjimeve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA është rikthyer edhe njëherë, pas publikimit të një sërë dokumentesh dhe raportesh teknike nga ana e “Wikileaks”.

Materialet në fjalë flasin për një përgjim nga ana e NSA-së të tre presidentëve të fundit francezë. SHBA-ja ka përgjuar, të paktën mes viteve 2006 dhe 2012, tre presidentët e fundit francez, Jacques Chirac, Nicolas Sarkozy dhe François Hollande, sipas dokumenteve të Wikileaks, zbuluar dje në mbrëmje nga e përditshmja ”Liberation” dhe faqja ”Mediapart”.

(a.n/AFP/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: