SHBA– Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama dëshiron tërheqjen e Kubës nga lista e zezë amerikane e shteteve që mbështesin terrorizmin, njoftoi dje Shtëpia e Bardhë.

Në një raport  të paraqitur në Kongres, presidenti amerikan shprehu qëllimin e tij për të hequr Kubën nga kjo listë, një etapë kryesore për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Qeveria kubaneze nuk ka dhënë asnjë mbështetje për terrorizmin ndërkombëtar këto gjashtë muajt e fundit”, u shpreh presidenti në raportin e tij të paraqitur në Kongres.

Të zgjedhurit kanë tashmë 45 ditë për të shprehur kundërshtimin e tyre. Dick Durbin, numri dy i demokratëve e mbështeti këtë iniciativë.

“Edhe pse nuk jam një mbështetës i zjarrtë i regjimit të Castros, vazhdoj të besoj se hapja e ishullit për idetë, tregtinë dhe lëvizjen amerikane është mënyra më e mirë për të parë një vend më të hapur dhe më tolerant”, deklaroi ai.

Kuba bën pjesë që prej vitit 1982 në këtë listë, përkrah Sirisë, Sudanit dhe Iranit. Administrata Reagan e kishte vendosur Kubën në këtë listë për mbështetjen e saj ndaj separatistëve bask të ETA-s dhe rebelët e Farc në Kolumbi.

Nëse Kuba hiqet nga kjo listë, ishulli mund të pretendojë për hapjen e një ambasade në SHBA dhe akoma më tepër aksesin në sistemin bankar amerikan.

Kjo iniciativë e presidentit amerikan ndodhi tre ditë pas një takimi historik me homologun kubanez, Raul Castro në Panama, i pari që prej kohës që dy vendet shkëputën marrëdhëniet e tyre diplomatike në vitin 1961.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: