Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama përshëndet përparimin e Shqipërisë në ndërtimin e demokracisë në vend. Me anë të një mesazhi drejtuar kreut tonë të shtetit, Bujar Nishani, me rastin e Festës së Pavarësisë, Obama e konsideron Shqipërinë si partnere të palëkundur, mike e aleate të ngushtë të SHBA-ve.

“Duke festuar pavarësinë tuaj, ne përshëndesim përparimin e mrekullueshëm që keni shënuar në ndërtimin e demokracisë në vend si dhe kontributin ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare në rajon dhe anembanë botës. Ju përgëzojmë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Suksesi i vendit tuaj në përparimin përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE e thellon qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe shërben si shembull për aspiratat euro-atlantike të fqinjëve tuaj. Shqipëria është një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale. Ne i jemi mirënjohës kontributeve të rëndësishme të Shqipërisë dhënë në misionin e NATO-s në Afganistan, në përpjekjet ndërkombëtare në Ukrainë, qëllimeve humanitare dhe stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe luftëtarëve të huaj. Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Urime për Ditën tuaj të Pavarësisë!”, – përfundon mesazhi i Presidentit amerikan drejtuar kreut të Shtetit shqiptar BARROSO Në përfundim të mandatit të tij 10-vjeçar si President i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso i dërgoi dje një mesazh Presidentit Bujar Nishani, ku e falënderon për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Shqipërisë ndër vite.

“Në ditët e fundit të mandatit tim dhjetëvjeçar si President i KE, dëshiroj t’ju falënderoj për bashkëpunimin tuaj të dobishëm përgjatë kësaj periudhe intensive, por edhe shumë shpërblyese gjithashtu. Gjatë dhjetë viteve të fundit, BE ka kaluar nëpërmjet disa prej kohëve më sfiduese të historisë së tij: që nga nevoja për t’u pajisur me një traktat të ri, tek trajtimi i krizës financiare globale, që evoluoi në krizë sunduese të borxhit, e deri te përballimi i ndërlikimeve të një rendi të ri botëror që po shfaqej. Megjithatë, ne ia kemi dalë mbanë me sukses që ta mbajmë Europën të bashkuar dhe të hapur, duke e bërë atë kështu edhe më të fortë. Kemi qëndruar të bashkuar dhe jemi zgjeruar me sukses, duke rritur numrin e anëtarëve nga 15 në 28″, – shkruan Barroso. Në përfundim të mesazhit për Nishanin, ai shprehet se ndihet i kënaqur me përparimin që është shënuar në fushën e zgjerimit dhe shpreson për një bashkëpunim të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe BE-së. “KE e ka ndihmuar Europën Juglindore të përparojë në rrugëtimin e saj europian, një përparësi strategjike ndaj së cilës unë kam qenë gjithmonë tepër i përkushtuar. Kështu që kam besim se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe BE do të vazhdojë të zgjerohet e të thellohet në të ardhmen”, – shkruan Barroso.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: