SHBA – Gjatë sesionit përmbyllës të samitit kundër ekstremizmit që sot u mbajt në Departamentin amerikan të Shtetit, Presidenti Barak Obama u bëri thirrje delegatëve nga 65 vende të përballen me ideologjinë e deformuar të përqafuar nga grupet terroriste, të cilët, tha ai, përpiqen të përdorin Islamin si justifikim për dhunën.
Ai tha se ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në luftën kundër organizatave terroriste. Varianti që përdorin ekstremistët, të cilët i justifikojnë veprimet e tyre me fenë islame, tha Presidenti Obama, disa herë shtrihet shumë më gjerë se sa organizatat terroriste dhe bëhet baza mbi të cilën terroristët ndërtojnë ideologjinë e tyre dhe me të cilën ata përpiqen të justifikojnë dhunën e tyre.
“Kjo na godet të gjithëve, duke përfshirë fenë Islame, e sidomos myslimanët, të cilët janë ata që kanë më shumë gjasa të vriten prej tyre. Këta terroristë janë të dëshpëruar për legjitimitet. Prandaj ne të gjithë kemi një përgjegjësi për të hedhur poshtë idenë se grupe si Isil përfaqësojnë në një farë mënyre fenë islame.”
Kjo, tha Presidenti Obama, është një gënjeshtër që mbështet variantin e terroristëve.
“Komunitete myslimane, duke përfshijë dijetarët dhe klerikët, kanë përgjegjësinë që jo vetëm të hedhin poshtë interpretimet e shtrembëruara për fenë islame, por edhe nocionin se në një farë mënyre ne jemi të angazhuar në një përplasje qytetërimesh, se Amerika dhe Perëndimi janë në një farë mënyre në luftë me Islamin apo se përpiqen të shtypin myslimanët, ose se ne jemi shkaku i çdo të keqeje në Lindjen e Mesme.”
Administrata e Presidentit Obama ka qenë e kujdesshëm duke mos e vënë fokusin e takimit të kësaj jave vetëm tek ekstremizmin islamik, por në të gjitha format e ekstremizmit. “Ne nuk jemi në luftë me Islamin. Ne jemi në luftë me njerëzit që kanë shtrembëruar Islamin”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje të drejtpërdrejtë udhëheqësve të njohur myslimanëve që të distancohen nga ideologjitë e dhunshme.
(er.nu/voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: