Pas arkivimit të suksesit në minutat e fundit ndaj Comos në kampionat, për Juven lind tashmë detyra për t’u kualifikuar mes 16 më të mirave në Champions League. Të besuarit e Thiago Mottës do duhet të kalojnë pengesën PSV. Kampionët holandez nuk vijnë nga një moment i mirë, teksa pas dy barazimeve radhazi në kampionat tashmë janë barazuar me pikë nga Ajax në krye të renditjes.
Për të motivuar të tije në pragë të aktit të parë të kësaj përballje tepër të rëndësishme ka menduar vetë tekniku i “Zonjës së Vjetër”, Thiago Motta:
“Objektivi ynë është ai për t’u kualifikuar në 1/8 e këtij kompeticioni. Nuk mendoj fare për përballjen e së dielës ndaj Inter, jemi të fokusuar 100% tek sfida ndaj PSV, që është një skuadër e madhe që meriton respekt. Vlahoviç apo Kolo Muani? Të gjithë dëshirojnë të luajnë, por kjo është e pamundur. Në futboll vlen cilësia në minutazhin që krijohet gjithsecilit.”
Ndërkohë një tjetër përballje me shumë interes pritet të jetë edhe ajo e Lisbonës, mes kampionëve portugezë të Sporting dhe gjermanëve të Dortmund. Të dyja skuadrat vijnë me ndryshime, teksa Sporting pavarësisht se kryeson kampionatin portugez, nuk duket më e njëjta skuadër pas ikjes së Amorim tek United. Ndërkohë edhe tek Dortmund gjërat nuk po shkojnë mirë këtë sezon, teksa pas shkarkimit të Nuri Sahin edhe ardhja e teknikur kroat Nico Kovaç, nuk ka sjellë ndryshimin, me debutimin e verdhezinjve që humbën në sfidën e parë në drejtimin e tij, ndaj Stuttgart të shtunën e kaluar.
Të dyja skuadrat duket se kanë shanse thuajse të njëjta për të kaluar më tej, ndaj sfida mes Sporting e Dortmund shihet si një nga përballjet më të forta të fazës Play Off.